Beatrix Ramosaj flet për rrugëtimin, daljen nga BBV dhe komentet: ‘Nuk kisha më fuqi as të flisja’
Beatrix Ramosaj tregoi në “Big Brother VIP Fan Club” se dalja nga shtëpia ka qenë një periudhë aspak e qetë emocionalisht, por tani ndihet më mirë, po merret me veten dhe me muzikë.
E pyetur nga moderatorja Dojna Mema për momentet pas daljes nga “Big Brother VIP”, Beatrix u shpreh se gjendja emocionale ka kaluar në disa faza.
“Kam kaluar disa faza pas daljes. Në fazë e parë kam qenë shumë e inatosur me veten. Isha e inatosur sesi i kisha përjetuar gjërat aty brenda, e inatosur që e kisha ndrydhur veten emosionalisht në të gjitha format e mundshme, isha futur në një botë të errët. Në atë gjendje nuk kisha fuqi të flisja, të mendoja pozitivisht. Pastaj faza e dytë ka qenë faza kur po vendosja në peshore gjërat e mira dhe të këqija dhe kuptova se realisht kishte më shumë gjëra të mira për mua. U qetësova dhe isha më e qetë, por ditët e para kanë qenë shumë të vështira. Kam qenë e mpirë komplet. Kisha probleme të isha prezente, të lidhesha me realitetin, të kuptoja se isha në shtëpi me familjen time. I shihja nga televizori [banorët] dhe ndihesha çuditshëm.”
Momentalisht ajo i sheh shumë pak banorët (d.m.th sheh kryesisht Donaldin), sepse kontakti i vazhdueshëm me reality show-n nuk po e lejonte të shijonte praninë e familjarëve. Në lidhje me daljen e Semit – e cila u komentua si momenti kur Donaldi dhe Triksa nisën të qëndronin më shumë bashkë – ajo tha:
“Pas daljes së Semit, banorët e tjerë po na ngacmonin shumë dhe situata ishte e sikletshme. Unë e kisha qejf. Në ato momente e kisha kuptuar që kisha një farë pëlqimi. Unë i dija ndjenjat e mia dhe e ndjeja dhe nga ana e tij. Jam shumë emocionale dhe për këto ndjesi jetoj.”
Beatrix u shpreh se e merrte me mend se çfarë komentesh mund të kishte jashtë për lidhjen e tyre, por nuk i kishte menduar përmasat.
“Duke e njohur publikun, fansat…ata lidhen me idetë e çifteve dhe sot për shembull ka çifte që janë ndarë dhe fansat janë ende me idenë se do të lidhen. E dija se kishte njerëz që nuk do ta pëlqenin lidhjen time me Donaldin, por nuk e merrja me mend se do të ishin në përmasa kaq të mëdhaja.”
“E shkuara e askujt nuk fshihet. E shkuara është e shkuar dhe ti bën paqe me atë gjë,” tha ajo për momentin kur mbi shtëpi u shfaq një banderolë me datën “9 janar” (e komentuar si mesazh për ditëlindjen e Bora Zemanit).
Në fund të bisedës, Beatrix theksoi se i vetmi faj që ndjen është fakti që e ëma është përballur me komentet aspak dashamirëse, megjithatë shtoi, “personalisht nuk e përjetoj aq shumë dhe njerëzit këtë punë kanë, gjithmonë do flasin”.