Bashkë prej 23 vitesh, Catherine Zeta-Jones tregon sekretet e martesës së saj të lumtur me Michael Douglas
Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones kanë qenë të martuar prej 23 vitesh dhe sot duken më të dashuruar se kurrë! Çifti është komentuar që në fillim të viteve 2000 për diferencën 25 vjeçare të moshës, por duket se për ta ky faktor nuk luan ndonjë rol të rëndësishëm. Së fundmi Zeta-Jones është bërë kryefjalë e portaleve të huaja pasi ndau me fansat copëza nga jeta e saj e lumtur me Douglas duke na inspiruar të gjithëve. Aktorja foli për sfidat që ka sjellë karriera dhe ndikimin e saj në çift, problemet shëndetësore, ndarjen e tyre të shkurtër dhe rikthimin tek njëri-tjetri në vitin 2014.
Dashuria triumfon mbi çdo gjë
Catherine ka treguar se të dy vuajnë nga probleme shëndetësore, por dashuria i ka ndihmuar t’i kapërcejnë të gjitha. Michael vuan nga një kancer i rrallë i gjuhës ndërsa Zeta-Jones është diagnostikuar prej disa kohësh me çrregullimin bipolar. Ajo theksoi: “Është e pamundur që të mos ketë ulje-ngritje nëse jetoni me të njëjtin person dhe zgjoheni me të çdo ditë. Rëndësi ka që në fund të ditës pavarësisht vështirësive me të cilat përballemi, ne e duam njëri-tjetrin.”
Përkushtojini kohë njëri-tjetrit
Të qenit i famshëm vjen me krijimin e një marrëdhënieje në sytë e publikut i cili ndjek me vëmendje çdo hap. Zeta-Jones dhe Douglas kanë treguar se pavarësisht sfidave që vijnë me famën, nuk u ka munguar kurrë vullneti dhe dëshira për t’u përkushtuar plotësisht në martesë. Ata dëgjojnë nevojat e njëri-tjetrit dhe vetëm kështu lidhja romantike nuk zbehet me kalimin e viteve. Douglas i bën Zeta Jones dhurata, komplimente dhe i drejtohet me fjalë shumë romantike. Michael ka deklaruar disa herë publikisht dashurinë për gruan e tij, duke thënë se ai do ta dojë atë “përgjithmonë” dhe se adhuron çdo gjë rreth saj. Ndërkohë Catherine ka thënë në një nga intervistat: “Ne e respektojmë njëri-tjetrin dhe nuk e ndjej asnjëherë faktin se ai është 25 vjet më i madh se unë. Respekti është thelbësor në një marrëdhënie.”
Çiftit gjithashtu i pëlqejnë udhëtimet dhe ndonjëherë zgjedhin të ndajnë me ndjekësit disa nga momentet e bukura që kalojnë së bashku. Fansat janë shumë mbështetës dhe gëzohen kur shohin se kjo martesë vazhdon t’i rezistojë kohës.