Barbana Dini: E keqja e qenit çift? Kur ke kryer punë pa e njohur partnerin, të cilit do t’i besosh jetën dhe fëmijët

Hera e fundit kur ngrite kokën lart nga Zoti?
Besimi tek Zoti ka qenë i natyrshëm që në fëmijëri. “Bashkëbisedimi” me Të është i herëpashershëm. Ndaj nuk ka herë të fundit.
Mëkati më i madh që ke bërë?
Mëkati më i madh që kam bërë në jetë ka qenë mirëbesimi tek njerëz që nuk e meritonin, sepse u kam dhënë aq shumë suport pozitiv saqë kam rrezikuar edhe të tjerët, duke i bërë t’i vlerësojnë për atë që nuk ishin.
Mëkati më i madh që të kanë bërë?
Për rrjedhojë mëkati më i madh që më kanë bërë, ka qenë “restoja” e mosmirënjohjes, që më kanë kthyer këto specie që biologjikisht klasifikohen si njerëz.
Kujtimi i fundit më i ëmbël?
Jeta ime është e pasur, madje shumë e pasur me kujtime të bukura. Por një nga momentet më të ëmbla për mua ishte ardhja e vëllait tim Ergit në jetë. Ndonëse isha relativisht e vogël, rreth 7 vjeçe, bashkë me motrën, Arlindën 10 vjeçare, e përjetuam si një mrekulli. Ndjenjë, e cila mbetet e përjetshme për ne…
Ai më i hidhur?
….fatkeqësisht edhe kujtimi i fundit më i hidhur mbeti ikja e Tij… ndonëse jam e bindur që Ai jeton në Parajsë.
Paratë që shpenzove së fundi, dhe pse?
Për pushime.
Kur e përjetove qiellin e shtatë?
Qielli i shtatë? Një term i huazuar nga shenjtëria e Kuranit, që tregon nivelin superior Qiellor, Aty ku është Zoti dhe lumturia, i cili është metaforizuar në romantikën humane, duke nënkuptuar dashurinë. Tek e para besoj që ekziston, tek e dyta nuk duhet ngatërruar qielli me humnerën…
Sa kohë ka kaluar kur ndjeve mungesën e gjysmës tjetër?
Falë karakterit tim dhe natyrës së fortë, asnjëherë nuk jam ndjer gjysmë, por një e plotë. Kështu që një gjysmë s’më bën punë. (qesh)Më duhet një i plotë.
E keqja e të qenit çift?
E keqja e të qenit çift është kur ke kryer punë, pa e njohur partnerin të cilit do t’i besosh jetën dhe fëmijët.
Nëse do të ishe vajza e vetme e rruzullit, si do i menaxhoje burrat?
Kjo mbase do të ishte një pyetje për Kancelaren Merkel. Mua s’arrin të ma rrokë mendja këtë temë, kur shoh pamundësinë e pjesës më të madhe të grave shqiptare për të menaxhuar së paku jetën e tyre pas martese.
Kur ke shkëmbyer mesazhe dashurie për herë të fundit?
S’e mbaj mend, ndoshta përpara Erës së Re.