Barazuan ndaj Juventusit, flet Romanjoli: Reaguam me karakter, ky është Milani im më i fortë
Për shkak edhe të menaxherit, në ditët e fundit është përfolur për një kalim te Juventusi pas një viti kur t’i ketë skaduar edhe kontrata. Maldini e quan profesionist dhe të domosdoshëm Alesio Romanjolin, teksa edhe kapiteni duket i fokusuar te skuadra aktuale. Pas ndeshjes së djeshme, ai deklaroi:
“U treguam të zot duke reaguar, por kjo nuk duhet të nxjerrë në plan të dytë gabimet e shumta që bëmë në fraksionin e parë. Le të mësojmë nga ky takim e të mendojmë menjëherë për Venecian”, deklaroi 26-vjeçari. Pavarësisht barazimit të djeshëm, mendja e lojtarëve të Milanit ka mbetur në “Anfield”.
Lidhur me këtë aspekt, Romanjoli shpjegoi: “Jemi të ndërgjegjshëm se në Angli mund të bënim më tepër. Sot e treguam forcën tonë duke treguar e duke zhvilluar një ndeshje të madhe.
Për sa më përket mua, mundohem të jap kontributin tim dhe të vendos në vështirësi trajnerin në stërvitje, por në fund zgjedhjet i takojnë atij dhe unë i respektoj”.
Milani është në krye, e për shumë ekspertë të sektorit, kjo është skuadra më e mirë e sezoneve të fundit. I këtij mendimi është edhe kapiteni, që si ndër kuqezinjtë më të vjetër deklaroi:
“Kam shtatë vite këtu e që nga ardhja ime me siguri që ky aktuali është ndër Milanët më të mirë. Kampionati është i gjatë ndaj duhet ta ruajmë përqendrimin. Momentin mund ta shijojmë, por me vetëdijen se nevojitet që ta ruajmë këtë ecuri”.
PANORAMASPORT.AL