Babait i bie të fikët në krahët e Ardit Gjebreas pasi takon vajzën pas 38 vitesh

Një histori tejet prekëse u trajtua sot tek “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare”. Një baba kërkonte vajzën e tij pas 38 vitesh që e kishte lënë në jetimoren e Vlorës. Stafi i të Dielës Shqiptare kishte arritur ta gjente vajzën e Yzeirit, e cila sot jeton në Itali dhe është birësuar nga prindër italianë. Ajo quhet Maria Pia Maltezi dhe tregoi mes lotëve si ishte keqtrajtuar në jetimore, ku e linin pa ushqim, pa larë dhe e dhunonin. Jeta e Marias, emri shqiptar i të cilës është Afërdita Dule, kishte ndryshuar kur u birësua nga prindërit italianë që i kishin dhënë gjithçka.

E prekur Maria tha se nuk e ka kuptuar kurrë sesi një prind mund të braktisë fëmijën dhe e ka pyetur veten për vite me rradhë pse prindërit ia bënë këtë gjë. Kur Arditi i tha se babai, motra e vëllai i saj ndodheshin në studio, Maria fillimisht ngurroi t’i takonte duke u shprehur se ndjen mllef ndaj të atit ndërsa motra e vëllai nuk kanë faj.

Arditi i tregoi se ata e kanë kërkuar dhe nuk kanë hequr kurrë dorë nga ajo. Pasi Maria pranoi t’i takojë, i ati vrapoi për ta përqafuar dhe nga emocionet i ra të fiktë.