Aventurat pa limit të Evis Xhenetit me burrin kitarist, nga nudot në hotelet e botës tek argëtimet si nënë me dy fëmijët

Evis Xheneti Shaffer, e cila ra në sy të mediave në party-n e çmimeve “Grammy”, gjatë muajit mars, është rikthyer në qytetin e dashurisë, Paris, aty ku u martua tre vite më parë me James Shaffer, i njohur si kitaristi i grupit Korn. Nuk ka si të mos na bëjë përshtypje ky çift i mrekullueshëm, për stilin e tyre të jetës që i ngjason një aventure të vërtetë, nga kujdesi për dy fëmijët e vegjël si prindër të devotshëm, e deri tek arratisjet për pushime romantike në hotelet luksoze të botës. James, metalari amerikan 46 vjeçar, i identifikuar për gërshetat e gjata, dhe Evis, aktorja 37 vjeçare me format fizike ideale të një kukulle, janë aq të dashuruar me njëri-tjetrin sa nuk ndalojnë të ndajnë me miqtë foto duke u puthur kudo ku janë. Nga “Mon Amour” deri tek “My king” janë dedikimet që ajo i bën bashkëshortit muzikant në fotot që postojnë në rrjetet sociale. Edhe pse është nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm, Evis ka lënë pa fjalë miqtë me disa foto nudo që ka realizuar në hotelet e shtrenjta të botës. James Christian Shaffer njihet me emrin e artit “Munky”, dhe është një muzikant amerikan, mjaft i njohur si bashkëthemelues e kitarist i bandës së muzikës metal “Korn”. Puna e tij me këtë grup rezulton me 35 milionë albume të shitura. Ai është partneri i shqiptares Evis që nga viti 2012, aktores nga Tirana e njohur për “Catch Me If You Can”, “Almost Famous”, “CSI”, “Curb Your Enthusiasm”.