“Avenirin e kishte nxjerrë në kuzhinë dhe unë kam fjetur në…”- Eni Çobani rrëfen situatën e skiletshme që kaloi natën e parë në shtëpinë e bashkëshortit

Eni Çobani dhe bashkëshorti i saj, Aveniri, kanë folur dje si rrallëherë për fillimet e dashurisë së tyre dhe për martesën.

Në rubrikën “Gjysma ime”, juristja tregoi se pas disa muajsh njohje, dyshja u fejuan dhe më pas erdhi edhe martesa.

Vasili tregoi situatën e sikletshme kur iu desh të qëndronte për herë të parë në shtëpinë e partnerit të saj, por para se të martoheshin.

Kjo sepse në atë kohë, nuk lejohej që të flije me të fejuarin pa u martuar më parë.

“Neve sapo ishim fejuar, kishim kaluar gati një vit dhe në vitin ’97, në atë vit të mbrapshtë për të gjithë shqiptarët, Avenirin e kapi një panik shumë i madh, sepse po mbyllte dyqanet, i kishin kaluar edhe plumbat sipër në kokë kur po mblidhte mallin dhe ishte në një panik të jashtëzakonshëm.

Vjen me një frikë të madhe tek unë në shtëpi dhe i kërkon prindërve të mi që ‘unë Enin nuk do e lë më këtu’. Mendoni, jetonim akoma me atë kulturën familjare që nuk mund të shkosh tek shtëpia e bashkëshortit pa martesë dhe prindërit e mi ngurruan.”

Eni u shpreh që ishte e vështirë që prindërit e saj të bindeshin që të shkonte në shtëpinë e partnerit, por kur shkoi atje kishte një tjetër vështirësi: Ku do flinte?

“Me shumë zor më kanë lënë, Aveniri më merr, më çon në banesë, sigurisht edhe për prindërit e Avenirit nuk ishte aq e thjeshtë, sepse unë nuk do shkoja thjesht për një vizitë apo drekë, por do flija aty.

Për prindërit e Avenirit dhe kryesisht për mamanë e tij të ndjerë, ishte problem i madh ku do flija unë. Kur erdhi mbrëmja që do shtriheshim të gjithë, unë po shikoja në sy vjehrrën time që ku do më vendosë.

Në atë kohë jetonte edhe motra e Avenirit në atë banesë dhe sigurisht që gjithsecili kishte krevatin e vet, unë isha pa krevat. Ajo kishte përgatitur dhomën e Avenirit, Avenirin e kishte nxjerrë në kuzhinë dhe unë kam fjetur në dhomën e tij vetëm pa të”,- rrëfeu Eni.