“Autoshkolla” titull te Milani, vetëm 6 kuqezinj e dinë se si fitohet trofeu më i rëndësishëm

Milani ka një skuadër shumë të re e cila po korr rezultate në kreshtën e entuziazmit që shpeshherë e bën të mos jetë konstante. Kuqezinjtë anojnë majtas, por ndeshjen e fundit e fituan falë një goditjeje bilardo të Kalulusë. Me francezin, grupi i “bebushave” është zgjeruar dhe përbën burim energjie. Po përvoja në tituj është e pakët.

Edhe Pioli vetë kërkon të parin në karrierë, ndaj rrugën e suksesit janë të tjerë që e diktojnë. Emri kryesor në këtë aspekt është i Zlatan Ibrahimoviçit që erdhi për të ringritur Milanin dhe kërkon një trofe për të mbyllur ciklin. Suedezi ishte pjesë e skuadrës së fundit kuqezi që fitoi titullin në vitin 2011. Para “Djallit” kishte ndihmuar dy herë Ajaksin, Interin, Barcelonën, por edhe Juven në kampionatin që ia mohuan vendimet e “Calciopoli”-t. PSG-ja në Francë plotëson tablonë prej 11 kampionatesh të 40-vjeçarit që për të rinjtë që i lodrojnë rrotull është shembull i pastër i profesionistit të suksesshëm. Talent, vullnet dhe punë e bënë lojtarin që njohim sot e këto sekrete po ia mëson Laos me shokë.

KAMPIONË – Raporti i Ibrës është 11 me një përballë Menjasë, Bakajokos dhe Zhirusë. Ky i fundit është kampioni në fuqi i Europës, pasi ka ngritur Champions-in e fundit me Çelsin dhe Kupën e Botës me Francën. Por e vetmja herë që ai triumfoi në nivel kombëtar ishte dhjetë vjet më parë. Asokohe luante për Monpelienë. Festimi i dhjetëvjetorit me një tjetër titull do të ishte mbyllja perfekte e një rrethi. Bakajoko ishte gjithashtu i suksesshëm në Francë kur në sezonin 2016-’17 ndihmoi për të vendosur Monakon në krye të renditjes përfundimtare me tridhjetë e dy paraqitje, dy gola, një asist.

Edicioni i fundit i Ligue 1 i takon Majk Menjasë, protagonist me Lilën pasi me pritjet e tij mbajti në distancë edhe PSG-në e yjeve. Brahim Diaz, 22 vjeç, 18 më pak se Ibra, është i dyti për numrin e trofeve në tabelën e organikës kuqezi. Por kontributi që ai ofroi është pa dyshim më modest: 49 minuta, të shpërndara në pesë paraqitje si zëvendësues, në sezonin 2017- 2018, kur me Mançester Sitin përfundoi në krye të renditjes së Anglisë. Dhjetë minuta të tjera, në gjashtë ndeshjet e nisura nga stoli, në kampionatin 2019-2020, të fituara nga Real Madridi ku gjithashtu bënte pjesë. Siprian Tatarushanu ndikoi shumë më tepër në “dopietën” me Steauan e Bukureshtit në kampionatin rumun, gjatë zeoneve 2012- ’13 dhe ’13-’14. Ai ishte portieri titullar, por sot është një nga ata që mundohet të përcjellë lidershipin nga pankina, teksa ka një rol senatori në dhomat e zhveshjes.

TË TJERËT – Pak të tjerë e kanë përjetuar gëzimin e fitores, Balo-Ture i fundit, kampion i Afrikës me Senegalin në shkurt, por me vetëm një prezencë pasi u dëmtua. Benaser, i cili i la stafetën, u zgjodh lojtari më i mirë i turneut me Algjerinë. Romanjoli fitoi Superkupën e Italisë me Milanin në vitin 2016. Florenci ka ngritur Kupën e Francës dhe Superkupën me PSG-në, ndërsa Teo Hernandez një seri titujsh me Real Madridin, me rol joprotagonisti, duke përfshirë kampionët dhe Kupën e Botës për klube. Një kupë gjermane për Rebiçin. Interi, kampion në fuqi i Italisë, di të menaxhojë lartësitë e mëdha, Juventusi, i cili mund të jetë pjesë e kandidatëve për titull, ende qëndron në grupin e nëntë titujve radhazi në kampionat. Nga ekipet në krye, Napoli ka bagazhin më pak të qëndrueshëm të përvojës. Mungesën e përvojës Milani dëshiron ta kthejë në favor: nëse mungesa e zakonit në lartësi të caktuara mund të ngadalësohet, pafytyrësia e rinisë mund të jetë një pikë force.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL