Autorja e ‘Fifty Shades of Grey’ po studion Kanunin e Lekë Dukagjinit, por pse?!

Shkrimtarja Erika L. James, e njohur për trilogjinë erotike “Fifty Shades of Grey”, “Fifty Shades Darker” dhe “Fifty Shades Freed”, po studion Kanunin e Lekë Dukagjinit.

Në një postim në Instagram, James publikoi një foto të librit, shoqëruar me një mbishkrim që nënkupton se po bën një punë kërkimore. Por për çfarë?

 

View this post on Instagram

 

A post shared by E L James (@erikaljames)

Ne bëmë punën tonë kërkimore dhe na rezulton se ajo po lexon Kanunin sepse është duke shkruar vëllimin e dytë të librit “The Mister”. Në librin e parë trajtohet historia e aristrokratit Maxim Trevelyan i cili bie në dashuri me një emigrante shqiptare pa dokumente, Alesia Demaçi, e cila është trafikuar në Angli nga i fejuari.

Pas një sërë peripecish, të dy mbërrijnë në Shqipëri dhe romani përfundon me babain e Alesias, i cili kërcënon Maksimin që të martohet me vajzën e tij. Siç kuptohet, për të pasur një tablo dhe më të qartë mbi doket dhe zakonet e vjetra, autorja i është drejtuar Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Shpresojmë që t’i shërbejë për mirë, duke marrë në konsideratë që “The Mister” nuk u prit mirë nga kritika. Shumë njerëz theksuan se “ka një mungesë të plotë të pjekurisë emocionale që është vërtet shqetësuese” ku “rrëfimi seksualizon cenueshmërinë dhe pafuqinë e Alesias”.