Autori norvegjez Jon Fosse fiton Çmimin Nobel të Letërsisë

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi t’i japë sot Çmimin Nobel për Letërsi autorit norvegjez Jon Fosse “për veprat e tij teatrore dhe prozën inovative, të cilat i japin zë së pathënës”.

Jon Fosse lindi në vitin 1959 në Haugesund, në bregun perëndimor të Norvegjisë. “Oeuvre” e tij (Vepra) e shkruar në norvegjishten nynorsk, përqafon një varietet gjinish dhe përbëhet nga një mori veprash teatrore, romane, mbledhje poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime.

Nëse sot është një nga dramaturgët më përfaqësues në botë, ai njihet gjithnjë e më shumë edhe për prozën.

Romani i tij i parë, “Raudt, svart” (1983), sa rebel, aq edhe i papërpunuar emocionalisht, flet për temën e vetëvrasjes, i cili, në njëfarë mënyre, u hapi rrugën veprave të mëvonshme.

Zbulimi i Fosse si dramaturg në Europë ndodhi me vënien në skenë në Paris, në vitin 1999, të veprës së tij “Nokon kjem til å komme” (1996 – “Dikush do të vijë”) nga Claude Régy.

Edhe në këtë vepër të hershme, me temat e pritjes së frikshme dhe xhelozisë gjymtuese, veçantia e Fosse është plotësisht e dukshme.

Në reduktimin radikal të gjuhës dhe në veprimin dramatik, ai shpreh emocionet më të fuqishme njerëzore të ankthit dhe pamundësinë në termat më të thjeshtë të përditshmërisë.

Dhe falë kësaj aftësie për të evokuar humbjen e orientimit të njeriut dhe mënyrën se si kjo, paradoksalisht, mund t’i japë mundësi një përvoje më të thellë, pranë hyjnores, që Fosse është konsideruar një nga inovatorët kryesorë të teatrit bashkëkohor.

E përbashkët me paraardhësin e tij të madh në letërsinë norvegjeze nynorsk Tarjei Vesaas, Fosse ndërthur lidhjet e forta vendase, ai ato gjuhësore edhe gjeografike, me teknika artistike moderniste.

Ai përfshin në Wahlverwandschaften e tij (të afërt të familjes) emra si Samuel Beckett, Thomas Bernhard dhe Georg Trakl.

Ndërsa Fosse ndan pikëpamjen negative të paraardhësve të tij, nuk mund të thuhet që vizioni i tij i veçantë gnostik rezulton në një përbuzje nihiliste të botës. Në të vërtetë, në veprën e tij ka shumë ngrohtësi dhe humor dhe një cenueshmëri naive ndaj imazheve të tij të zymta të përvojës njerëzore.