Aurela Gaçe rrëfehet si shkrimtare, në 1 vjetorin e vajzës së dytë publikon fletë nga ditari sekret

Javët e fundit të shtatzënisë me ty ishin nga ato të vështirat, ku dukej sikur oksigjeni mezi mbushte mushkëritë, brinjët, kockat, këmbët thernin çdo moment. Unë rëndohesha çdo ditë e më shumë, stomaku digjej si vullkan nga acidi, në duar për rreth 5 javë kisha serume me lëngje e ilaçe të ndryshme që më ndihmonin të mos kisha kontraksione, sepse ti e bukura ime doje të dilje para kohe, e mjekët më urdhëruan të qëndroja regjim shtrati e të duroja sa të mundesha. Sepse ti duhej të rrije akoma brenda barkut të mamit, mushkëritë e tua duhet të rriteshin…duke menduar të gjitha këto, bëja durim… E duke menduar se do të të kisha ty në krahë, bëja durim që në fillim kur mësova se ti kishe filluar të rriteshe brenda meje. Po jeta ime, na u desh në fillim të qëndronim së bashku regjim shtrati absolut për 3 muajt e parë…motra jote e madhe donte kaq shumë të flinte me mua, donte ta merrja në krahë siç ishte mësuar, e s’mundesha e i flisja kaq shumë për ty. I tregoja se aty brenda barkut të mamit ishte një beb, që shumë shpejt do të ishte motër ose vëlla për të, dhe Zoti e do aq shumë sa po i bënte një dhuratë e ne duhet të kujdeseshim për të. A e di ti Abigail, se edhe motra jote e madhe u kujdes shumë për ty? Po, ajo duroi që mami të mos e merrte në krahë, të mos luanim bashkë sepse shumë kohë isha shtrirë, duroi të mos flinte afër mamit…Në fakt vetëm një herë qau sepse aq shumë donte dhe s’mundej, pastaj ajo do të të tregojë ty se si ecte mami javët e fundit, kur duhej patjetër të ngrihej nga shtrati do shkrihesh sepse motra jote më imiton fiks. Do të tregojnë dy gjyshet e tua sa shumë janë kujdesur për ty akoma pa ardhur ti në jetë, duke ndenjur natë e ditë afër nesh që asgjë të mos na mungonte. Pak ditë i kaluam edhe në spital, dhe mami jot paçka mes dhimbjeve, nuk e la të kuqin që flakëronte buzët pa e vendosur, se edhe ashtu bardhë fare në fytyrë të keqen mami, sikur nuk shkonte! Edhe imagjino që ilaçet që merrte mami që nga fillimi, të frynin e të bënin tollombac…edhe imagjino të keqen mami që kishin guximin ca “jo mirë nga trutë” që ta shikonin mamin në rrugë para e mbas shtatzënisë, e nga goja që flet para mendjes të thoshin “sa je shëndoshur”. Askush nga ata të keqen mami nuk mendonte çfarë po kalonim në të dyja, por edhe sikur asgjë të mos ishim duke kaluar por thjesht mamit t’i hahej shumë, këta njerëz të keqen mami janë pakëz budallenj sepse në këto raste thuhet dalshi mirë, qofshi shëndoshë, urime, etj, të kësaj natyre… Këta e marrin të mirëqënë të keqen mami që ti je aty tek barku e mami duhet të jetë balerinë. Eeeee të mos flasim pastaj të keqen mami, kur mësonin se ishe vajzë e jo djalë. Ohhhhh pa merak zemra e mamit se mami jot e ka përgjigjen gati, edhe më fal nëse ndonjëherë kam qarë, kur përballesha me injorancën.

Jo se më mundnin, jo zemra ime. Thjesht më mbyste ngashërimi kur mendoja se do të të duhet në jetë të përballesh me të mirën e me të keqen. Mami e babi do të mundohen të të mësojnë t’ia dalësh në këtë botë sa të mirë, sa të bukur aq edhe të shkrete e të çmendur… Eh kështu…eh ti ndërkohë shkelmoje fort e më fort dita-ditës a thua se po bëje “party” a ku di unë çfarë protestash bëje atje brenda, se normal ti doje të dilje, por kush të linte? Numëroja ditët deri sa u bënë javë e javë e bashkë me xhaxhi doktorin Nikita e teta doktoresha Ketin, ia dolëm të të sillnim deri në javën duhur me Zotin në kokë. Mami kishte shumë shumë frikë në sallën e lindjes. Mami u frikësua aq shumë sa kërkova të më vinin në gjumë, ankthi më pushtoi kraharorin e më dukej sikur zemra do të më ndalte… Po mendoja të keqen, mendoja për ato raste kur nënat nuk ia dalin (nuk e di pse por i mendoja këto ndoshta sepse bëja shumë kërkime e lexime në kohën që isha regjim).

Por, ja kaloi e gjitha. Ti ishe në krahët e mamit e të babit, motra që të shikonte me atë dashurinë që di ta ketë vetëm një motër. Gjyshërit, xhaxhai, tezja e daja yt u lumturuan shumë.

Ti, Abi, tani je shumë e vogël, por ta dish sa shumë lumturi na ke sjellë në shtëpi, sa shumë të duam të gjithë. Thonë se me fëmijën e dytë, nëna mësohet. Por jo, gëzimi i dhëmbit të parë është njësoj, lumturia e belbëzimit të parë është po njësoj, ankthi e meraku janë njësoj, zgjohesha e të kontrrolloja a ishe mirë, po njësoj siç kam vepruar me motrën tënde të madhe.

Eh moj Abi, kur të rritesh do ta kuptosh se ke dy prindër që japin jetën për ty, ke një motër që uroj me shpirt të jetë aty për ty gjithë jetën tënde.

Zot, jam e përulur dhe falenderuese për çdo sekondë që jetoj.

Faleminderit për këtë dashuri që ka emrin familje. Faleminderit që bashkove ashtu si pa dashje (asgje nuk është rastësi, është destin, fati yt) rrugët e mia e të Skerdit, që ne të humbnim në dashuri pa menduar për asgjë përveç ndjenjës e të sillnim në jetë dy jetë.

U zgjata pak por le të themi që një fletë të ditarit tim e ndava me ju. Me nënat e reja që kalojnë këto periudha.

Zoti qoftë me ju e me fëmijët tuaj në çdo ditë sa të mrekullueshme aq edhe të vështirë…

E nëse dikush nga “Të paditurit” ju bie në qafë për format e trupit e për peshën, thjesht lumturohuni që Zoti ju ka bekuar me dhuratën më të shtrenjtë që i ka bërë njeriut.

Ka shumë njerëz në botë që luten e provojnë pafund shumë mënyra që të kenë më të shtrenjtën e më të bukurën ndjesi, e fatkeqësisht disa nuk munden. Uroj me shpirt që lutjet e tyre të plotësohen!

Ka shume nëna e fëmijë që nuk ia dalin dot deri në fund. A e imagjinoni sa me fat jemi që jemi në jetë e mundemi të kujdesemi për familjen? Edhe në këtë moment, e di sa qesharakë duken “injorantët e cekët që nuk kuptojnë asgjë çfarë kalon një grua dhe na ngacmojnë për gjënë më të parëndësishme? Për atë të jashtmen. Harrojnë se brendësia jonë është plot. Harrojnë se jemi me fat që jemi gjallë. Se jemi me fat që mundemi të kemi fëmijë. Se jemi me fat që trupat tanë kanë pësuar transformim për arsyen më të bukur në botë.

Unë atyre që më kanë rënë në qafe sidomos në ato momente kur gruaja mund të kalojë edhe periudhë depresioni(edhe mbas lindjes), u kam gjetur ilaçin “live” direkt në sy edhe këtu. Kam bërë edhe një bluzë pikërisht për ta në emër të të gjitha mamave, edhe do ta kem si kujtim nga ajo periudhë.

Na falni por se si mu nxeh gjaku! Jam e sinqertë, s’ke ç’thua!

Rrofshin mamatë! U bëfshin së bashku me baballarët, kështjella e fortë mbrojtëse, prehëri e kraharori më i ngrohtë për fëmijët e tyre e u bëfshim stërgjyshër. Unë do të jem njësoj, edhe me bastun, me xixa.