Audio turpëruese e Sergio Ramos: i kërkon ndihmë presidentit të RFEF për të fituar Topin e Artë
Sezoni i tij i fundit, i pari me fanellën e Paris Saint Germain, ishte mjaft zhgënjyes, mes dëmtimeve kronike dhe mungesës së gjendjes fizike. Por vitet e mëparshme te Real Madrid e kishin bërë Sergio Ramos një nga mbrojtësit më ikonik, vendimtar dhe më të suksesshëm në historinë e fundit të futbollit. Gjithësesi, jo deri në atë pikë sa të konkurronte për Topin e Artë, çmim në të cilin arriti vetëm vendin e gjashtë në vitin 2017. Ndoshta kjo është arsyeja pse lojtari i lindur në ’86, në verën e 2020, shkoi aq larg sa të kërkonte “një ndihmë të vogël” nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, siç u zbulua në mënyrë sensacionale nga disa audio që El Confidencial do të publikojë të premten.
Në funksion të garës së Topit të Artë 2020, e cila përfundimisht nuk u caktua për shkak të pandemisë Covid, Sergio Ramos pati idenë e shkëlqyer për të dërguar mesazhe zanore numrit një të Federatës Spanjolle të Futbollit Rubiales, për t’i kërkuar hapur mbështetjen e tij: “Rubi, mirmbrëma, shpresoj të jeni mirë me gjithë familjen”, e nis me mirësjellje mbrojtësi. Që më pas del te cështja: “Ti e di që nuk të kam kërkuar kurrë asgjë, por nëse dua ta bëj sot, është sepse mendoj se është një vit i veçantë për performancat që kam pasur këtë vit. Unë do të doja që të më ndihmosh në çdo mënyrë të mundshme dhe të përdorësh kontaktet e tua në UEFA në lidhje me Topin e Artë”.
Në mesazhet dërguar Rubiales, Sergio Ramos u përpoq të mbrojë kauzën e tij duke vënë në dukje faktin se fitorja e tij eventuale do të ishte një burim krenarie për të gjithë Spanjën: “Unë do t’ju falënderoja për gjithë jetën time. Jo vetëm për mua, por edhe sepse mendoj se futbolli spanjoll e meriton shumë”. Sipas asaj që u zbulua, Rubiales u përgjigj se ai me siguri e meritonte çmimin, duke i uruar fat për sezonin e ardhshëm të Champions League dhe duke shtuar se pavarësisht se nuk kishte fuqi vendimmarrëse për detyrën, ai do ta ndihmonte në çdo mënyrë të mundshme.
Një kërkesë e turpshme, për të cilën në ditët e ardhshme do të zbulohen të gjitha detajet. Sigurisht që një fitues i kalibrit të Sergio Ramos nuk del shumë mirë.