Atsu u deklarua i shpëtuar, klubi e përgënjeshtron: ngatërruan person, lojtari është ende nën rrënoja
Ngjyroset me mister fati i Christian Atsu, futbollistit ganez të Hatayspor, viktimë e tërmetit që shkatërroi Turqinë dhe Sirinë. Klubi turk për të cilin ai luan, përmes trajnerit dhe zv/presidentit, mohon lajmin e gëzuar. Orët e fundit qarkulluan fjalë se ish-lojtari i Newcastle dhe Chelsea ishte shpëtuar nga rrënojat. Mjeku i klubit kishte deklaruar se ai ishte dërguar në spitalin Dortyol. “Kisha marrë informacione se Atsu ishte larguar nga rrënojat – shpjegoi zv/presidenti Mustafa Ozat -. Megjithatë, informacioni i marrë është se ai dhe drejtori sportiv janë nën rrënoja”.
Trajneri Volkan Demirel i bëri thirrje mediave: “Ju lutem mos shkruani se mbijetoi pa qenë të sigurtë. Njerëzit kanë familje, shpresa, dhimbje… Dhe dhimbja sa vjen e shtohet. Nuk ka asnjë lajm për Atsu dhe për drejtorin sportiv Taner Savut – i tha ai Sports Arena -. Sapo të jetë në spital do të ndajmë lajmin, por ne kemi kaluar situata të vështira. Njerëzit punojnë ditë e natë, shpresoj që të dy të shpëtohen. I gjithë ekipi është me familjet e tyre. Do të ndaj gjithçka sapo të vijë informacioni”.
Në fillim u mendua se Atsu ishte transportuar në spital me dëmtime në këmbën e djathtë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në vend të kësaj, hipoteza se u ngatërruan personat po rritet gjithnjë e më shumë. Kështu që, fatkeqi Atsu është ende i varrosur nën rrënojat e ndërtesës ku ai jetonte në rajonin e Kahramanmaras.