Artisti shqiptar përfundon në spital, përshkrimi i dhimbshëm: Unë u ktheva, ai në krevatin ngjitur jo, vdiq me gojën hapur

Artisti Çun Lajçi përfundoi në spital pak ditë më parë për shkak të disa problemeve shëndetësore, të cilat tashmë i ka kaluar. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ai e përshkruan mjeshtërisht ato momente të vështira duke theksuar se ishte në prag të vdekjes, por kësaj radhe u kthye, ndërkohë që shton se vdekja nuk të fal dy herë duke parajmëruar se një shtrim tjetër mund të sjellë probleme më të mëdha për të.

Abcnews.al sjell të plotë, siç e ka shkruar Çun Lajçi këtë eksperiencë të tijën në spital:

U ktheva, se ju me deshtët e unë s’mujta pa juve!

Mos harroni, se asht dikush mbi ne që numëron vitet tona, e rrugët i zgjatë, aq sa atij i bahen taman!

Po! Dje vrapova n’spital, si cjapi të kasapi, por kur u shtrina n’shtratin me plot tela, pej e gërshanë, e luta ate dikushin:

-Theja Zot briskun kasapit e lëshoje cjapin maleve me kullotë, se u duhet dhive nesër!

Mendja m’shkoi të Gërlat e Koshutanit. Nuk ngjitesha Gunishtës përpjetë, pa ra n’gjuj e me pi ujë n’rrasa guri!

Jeta qenka e amel dhe e shkurtë, thashë, kur njeni vdiq, n’krevatin përballë meje. Ishte dy herë ma i ri se unë, e sytë i mbetën të hapun.

S’qenka ngi jetë, mendova. E paska dashtë shumë, por ajo paska qenë e shkurtë për te dhe e idhët për mua!

Doktoret e provuen shkencën e ilaçet, por, ai mjeku tjetër, mbi re, ai e kishte thye urën e tij. Ai nuk ngjitej si unë Gunishtës së Koshutanit! S’kalonte përtej fatit t’vet!

Nji gjumë e bana mes gërhama vdekjësh, mes shtrengime zemrash dhe me zbardhjen e ditës, u ktheva gjurmëve të djeshit.

– Si cjapi, që ndjekë hijet e han gjethe drizash, unë ndoqa hijet e pemëve me nji buçetë lulesh, që mi pruni nusja e djalit, dje, kur e nëshkrova vdekjen time!

Po, e nënshkrova, sepse vdekjën e ke nesër, n’mos e paç sot, e s’deshta me ia lanë djalit peng!

Ajo kishte vrapua të shitësi i luleve e n’gjethet e tyne kishte shkrua: Lati e Kosi të duen shumë!

Erdhi si drenushë dhe mi vendosi të kryet, kur u ktheva nga salla, i lidhun me fasha.

Gala ishte mes lotit e gëzimit. Mes dhimbjes e mallit!

Nata m’erri n’shtratin e pacjentit e dita me zbardhi si cjapin rebel, n’fund t’shtratit!

Zgjimi ishte me mirëmengjesin e motrave. Si jeni?

Si mysafiri që kërkon leje për rrugë, iu përgjigja njenës nga to.

Struc rrisha, tue numërua tingëllimat e aparateve, mbi kokat e pacientëve. Madje ato tingëllima s’me lan me ba gjumë!

Fiki e luta nji praktikant, që bante kujdestari. Por s’ma plotësoi dëshirën. Këto masin pulsa zemrash artist. Ju jeni pacjentë me zemra të smutë! Bjer e flij.

Por si ti mbyllë sytë, kur nesër, ndonjenit prej nesh, nuk do t’i rreh ma zemra!

I strukun n’fund t’shtratit, nisa me shkrua për cjapin, artistin plak, që zilja nuk i cingëroi e shpëtoi pa e therë thika e kasapit!

Doktor Pallaska me mori ngrykë, si t’isha mixha i tij, ai artisi i madh, Shaniu i “Godosë” se Brehtit e doktor Agim Krasniqi, ai që i futi telat damarëve t’mi, i lumtun që gjithçka ishte n’rregull, i buzëqeshun tha:

– Ik n’shtëpi e shkruej libra e luej role artist, se zemrën e ke t’re, e s’i duhesh kasapit!

Unë, me bekimet tueja e me buçetën e luleve, të nusës se djalit, si cjapi, i ndoqa hijet e pemëve dhe u ktheva të stoli e librat që presin firmën time!

Leartit i thashë: Cjapi nuk shpëton dy herë, duhet të jeshë i fortë, kur të mbetësh me zilën e tij n’dorë!
Kurrizi i Dardanisë, 09.08.2022