Arta Bajrami lind fëmijën e tretë: Ç’do të ndodhë me karrierën time si këngëtare

Më datë 28 dhjetor të vitit 2017, këngëtarja e njohur Arta Bajrami u bë nënë për herë të tretë. Arta lindi në Prishtinë vajzën, të cilën ajo dhe bashkëshorti i saj, Xhim Sekiraça vendosën ta quajnë Electra. Vetëm pak javë pas lindjes, Arta ka rrëfyer në një intervistë për Telegraf, se si e përjetoi ndjenjën e mëmësisë për herë të tretë. “Ndjenjën e të bërit nënë për herë të tretë e përjetova sikur te ishte hera e parë. Çdo lindje ka historinë e saj specifike me momentet specifike dhe emocionet specifike. Çdo lindje është unike dhe po ashtu përjetohet”, tha këngëtarja. Arta Bajrami me bashkëshortin e saj, Xhim Sekiraçën pak ditë pas lindjes ka treguar se pse vendosën ta pagëzojnë vajzën me emrin e veçantë Electra, dhe cili është kuptimi i këtij emri. “Sikur edhe për dy fëmijët tjerë për emër të vajzës ka vendosur burri im dhe mua më ka pëlqyer dhe jam pajtuar menjëherë. Emri Electra ka disa kuptime, në gjuhën popullore do të thotë “diell i zjarrtë ose rreze vezulluese” e që ne e përkthejmë si energji pozitive në familjen tonë”, tregon ajo. Arta është gjithashtu nënë edhe e dy fëmijëve të tjerë, vajzës së madhe Viktoria, dhe djalit të dytë, Ideal-Morris, të cilët mesa duket kanë përjetuar një gëzim të madh, duke e mirëpritur si më së miri motrën e re në familjen e tyre. “Viktoria është gëzuar shumë pasi që është vajzë, pra ka fituar një “shoqe”. Ndërsa djali akoma është shumë i vogël për të shfaqur ndonjë emocion të veçantë, por ndonjëherë sikur e shikon me habi e ndonjëherë do ta marrë në duar”. Por, si e përshkruan Arta ndjenjën e të bërit nënë për herë të tretë? “Ndjenjë krenarie. Shtëpia PLOT 5”. Shumëkush mund të mendojë që angazhimi në familje do ta lërë pak jashtë muzikës, por për Arta e mohon kategorikisht një gjë të tillë. Madje, ajo thotë se fakti që është tejet e plotësuar në jetë, e shtyn të punojë drejt edhe më tej në karrierë. “Jo, nuk do të stopoj me muzikën. Përkundrazi, kjo do të thotë që tashmë Arta ka kryer detyrimin e saj si grua (pra zgjerimin familjar), dhe do të fokusohet në jetën e saj artistike. Jam duke punuar në disa këngë të reja dhe besoj se pranvera e vitit 2018 do filloj me disa tinguj, që do jenë paksa freskues për muzikën shqiptare. Unë nuk ndalem së eksperimentuari dhe nuk dua të jem “boring”, ka thënë tutje Arta. Duke qenë se jemi në ditët e para të vitit 2018, të gjithëve në intereson pak të dimë se si e festoi këngëtarja natën e ndërrimit të viteve, tanimë vet e pesta, natë të cilën ajo e përshkruan se e kaloi bukur në ngrohtësinë e familjes. “Unë sapo pata lindur dhe natyrisht që nuk kam qenë në gjendje të jem fizikisht aktive atë natë. Por kjo nuk ka ndikuar në atmosferën festive në shtëpinë tonë. Ne jemi kënaqur në mënyrë modeste në ngrohtësinë që ofron familja”, përfundoi ajo.