Arsyet e krizës së Mesit, “Pleshti” po mendon seriozisht largimin nga Barça dhe kalimin te…
Lionel Mesi është në hije ose të paktën kështu duket. Argjentinasi nuk është më i njëjti që pas rifillimit të kampionatit spanjoll. Perceptimi nuk është i gabuar, por as numrat gjithashtu nuk gënjejnë. Sulmuesi i Barcelonës, përveçse nuk shënon shumë, godet më pak dhe gjeneron më pak rrezik. Në ndeshjet e fundit po mbijeton vetëm me asiste dhe kjo është arma e vetme që ka në përdorim. Lojtari ka nevojë për një pushim dhe vetë Setieni e ka pranuar këtë.
Sigurisht që një nga arsyet kryesore të kësaj krize që po kalon Leo Mesi është lodhja. Kapiteni i Barcelonës bashkë me Raul Albiolin janë dy lojtarët e vetëm që nuk kanë humbur asnjë minutë që nga rikthimi i kampionatit. Ai është i domosdoshëm për Barcelonën dhe Setien nuk guxon që ta largojë. Skemat e përdorura dhe ndryshimet e shpeshta në formacion nuk e kanë ndihmuar aspak Leon që të tregojë versionin më të mirë. Ekipi me Setienin ka pasur probleme dhe nuk është shprehur dot siç duhet. Në ndeshjet e fundit ai ka luajtur disi më i tërhequr në mbështetje të dyshes Suarez-Grizman.
E ARDHMJA – Sigurisht që lajmi për mosrinovimin e kontratës së tij ka ndikim. Duket se “Pleshti” kërkon më shumë qartësi dhe një projekt ambicioz për ekipin e tij. Për këtë arsye vendosi që të ndërpresë bisedimet që ka babai (menaxheri) i tij me klubin e Barcelonës.
Duket se Leo është realisht i joshur nga ideja për të nisur një tjetër aventurë jashtë Spanjës. Skuadra të mëdha si Siti apo Bajerni i Mynihut janë gati ta “përqafojnë” kapitenin e Barcelonës.
Ai është i lodhur nga problemet e shumta që kanë ndodhur në klub si shkarkimet e njëpasnjëshme të trajnerëve, kaosi me uljen e pagave për shkak të krizës së “COVID-19” apo dështimet në Champions League. Ai nuk mendon se Barcelona është e aftë për të triumfuar në Europë dhe për këtë arsye mund të provojë të fitojë diku tjetër. Bajerni e ka seriozisht dhe po mendon si do të bëjë këtë goditje.
PANORAMASPORT.AL