Arrestohet Lulzim Berisha, ish-kreu i Bandës së Durrësit u kap në Spanjë: Çfarë e pret tani në Shqipëri
Një nga personat më të shumëkërkuar në Shqipëri, Lulzim Berisha, është arrestuar në Spanjë dhe pritet që të ekstradohet për tu përballur me drejtësinë. Ish-kreu i bandës së Durrësit është arrestuar në një operacion të përbashkët mes dy vendeve.
Tashmë pritet që SPAK t’i përcjellë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim. Kjo e fundit pasi përfundon dosjen e dërgon te homologët në Spanjë dhe pikërisht gjykata spanjolle pritet të japë vendimin për ekstradimin e Berishës.
Ish-kreu i bandës së Durrësit u arrestua në vitin 2006 dhe më pas u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda të asaj kohe. Ai akuzohej për 10 vepra të rënda penale, përfshirë disa vrasje mes viteve 1998 dhe 1999 si dhe ngjarje të tjera kriminale. Edhe Apeli e la në fuqi të njëjtin vendim, por në vitin 2014 Gjykata e Lartë rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe e dënoi Lul Berishën me 25 vite burg. Pasi qëndroi vetëm 10 vite në qeli, duke e konsideruar si një të dënuar shembullor, shkalla e parë e liroi.
Ky vendim u mbështet edhe nga Apeli. Për lirimin e tij u siguruan raporte mjekësore, raporte për sjellje të mirë, madje edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i doli si garantues, duke i siguruar edhe një vend pune.
Por nga ana tjetër ishte Gjykata e Lartë e cila në vitin 2021 vendosi rikthimin e tij në burg. Jo vetëm kaq, por Lul Berisha ka edhe çështje të hapura në Prokurorinë e Posaçme. SPAK në vitin 2020 e shpalli në kërkim për krime të rënda, të ndodhura 17 vite më parë, por të zbardhura vetëm tre vite më parë. Konkretisht ai kërkohet për vrasjen e Klodian Saliut, vrasje e ndodhur në vitin 2005 e zbardhur nga dëshmia të penduarit të drejtësisë Luftar Reçit.
Pse u arrestua?
Lulzim Berisha ka për të bërë edhe 5 vite burg në Shqipëri pas dënimit të tij nga gjykatat shqiptare. Ai u lirua me kusht në vitin 2016 pas një rrugëtimi të gjatë nëpër korridoret e burgut, prokurorisë dhe gjykatave.
Ai nisi procesi e apelimit të vendimit duke ezauruar më 22 maj 2022 të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar. Gjykata Kushtetuese, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 7 dhjetor 2021, e cila kishte vendosur për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Dhe jo të gëzonte lirinë me kushte.
Kushtetueja rrëzoi kërkesën e Lulzim Berishës, për të hedhur poshtë vendim e Gjykatës së Lartë. Me këtë vendim, praktikisht Lulzim Berisha i shteroi të gjitha rrugët ligjor në Shqipëri, për t’i shpëtuar rikthimit për vuajtur edhe 5 vite burg.
Fill pas kësaj ai u zhduk ndërkohë që duhej të bënte edhe pesë vite burg. Operacioni i sotëm është ai që e çon Berishën në burg pasi të rikonfirmohet masa e sigurisë në një gjykatë vendase pasi të ekstradohet nga Spanja.
Kush është Luizim Berisha
Lulzim Berisha njihet si kreu “Bandës së Durrësit”, një organizatë kriminale përgjegjëse për disa krime të rënda që ka operuar gjatë fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000.
Banda nisi të veprojë në Durrës prej vitit 1998, kur Lulzim Berisha, në bashkëpunim me Plaurent Dervishaj, Adriatik Colin, Klodian Saliun dhe Ilir Xhungën vranë me armë zjarri Dritan Sallakun.
Seriali i vrasjeve doli në pah kur në pranverën e vitit 2006 u arrestuan shtatë persona, mes të cilëve katër të akuzuar si vrasës me pagesë.
Adriatik Coli u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë pas riatdhesimit nga Italia, duke treguar një pjesë të mirë të shkaqeve dhe autorëve të ngjarjeve kriminale.
Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit
17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.
29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri
22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.
9 korrik 2000
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit
14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit
2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre
26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.
13 tetor 2005
Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.
30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. /vizionplus.tv