Arrestohet Loredana, akuzohet për mashtrim nga një çift zviceran
Loredana ka rënë në prangat e autoriteteve zvicerane për mashtrim ndaj një çifti zviceran, Petra Z. 52 vjeçe dhe bashkëshortit të saj 53-vjeçar, Hans.
Lajmin e ka bërë të ditur gazeta e njohur zvicerane “20 minuten”, e cila ka raportuar se Loredana është arrestuar në një apartament në Luzern. Dyshohet se reperja shqiptare dhe vëllai i saj, Berati, i kanë marrë çiftit në fjalë rreth 900 mijë franga nëpërmjet mashtrimit dhe kërcënimit. Petra Z. ka treguar për “20 minuten” se në fillim i ka dhënë 200 mijë franga vëllait të reperes, por asnjëherë nuk i mori mbrapsht paratë. Ndërsa disa muaj më vonë Loredana ishte paraqitur tek Petra si avokate dhe i premtoi se do i rikthente paratë e humbura në rrugë ligjore.
Në të vërtetë sipas 52-vjeçares Loredana jo vetëm që nuk e ndihmoi, por i mori edhe 700 mijë franga të tjera. “Loredana dhe vëllai i saj, Berat, kanë marrë çdo gjë prej nesh. Thjesht çdo gjë që ne njerëzit e thjeshtë punojmë fort për t’i pasur. Vetëm prej Loredanës doja t’i jepja fund jetës”, ka thënë Petra Z. për gazetën zvicerane.
Ajo ka treguar se Loredana u paraqit si vajza e një avokati të njohur në Zvicër dhe pasi i premtoi se do e ndihmonte për çështjen, më pas përmes presionit nëpërmjet telefonit arriti t’i merrte 700 mijë frangat. Sipas “20 minuten” çështja e reperes shqiptare është ende nën hetim dhe autoritetet po kryejnë investigim edhe në apartamentin në të cilin u arrestua. Nga ana e Loredanës apo partnerit të saj, Mozzik, nuk ka ende një reagim në lidhje me këtë çështje, ndaj pritet të shohim se çfarë do të ndodhë më vonë. /revistawho.com