Arrestohet ish-drejtori i Teatrit Kombëtar, akuzohet për abuzim seksual me të mitur
Ish-drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Greqisë, Dhimitris Ligniadhis, është arrestuar pasi akuzohet për abuzim seksual me të mitur dhe përdhunim.
55-vjeçari, i cili është edhe regjisor i njohur, ne datën 6 shkurt dha dorëheqjen nga posti i tij, për shkak të disa denoncimeve të bëra ndaj tij për abuzime seksuale. Akuza këto që ai i ka mohuar.
Ndërkohë ditën e djeshme, pas denoncimit të një të riu që ka deklaruar se Ligniadhis e ka përdhunuar kur ishte vetëm 15 vjeç, ai është arrestuar dhe një hetim ka nisur nga Prokuroria e Gjykatë së Lartë në vendin fqinj.
Ministrja e Kulturës në një konferencë shtypi ka pranuar se nuk kishte dijeni për këtë, ndërsa e ka përshkruar regjizorin si një “njeri të rrezikshëm” dhe që “i ka mashtruar” të gjithë.
Në fakt prej disa ditësh mediat greke kanë qenë të mbushura me denoncime ndaj ish-drejtorit të Teatrit, i cili akuzohet si përdhunues jo vetëm i të rinjve adoleshentë që dëshironin të bëheshin aktorë, por ka zëra se abuzonte edhe me refugjatë minorenë.
Nga ana tjetër partitë opozitare greke kanë akuzuar si ministren ashtu edhe kryeministrin, jo vetëm për emërimin e Ligniadhit në postin e rëndësishëm, vetëm se ishte mik i familjes Mitsotakis, por edhe për vonesën prej gati 3 javësh në pozicionimin zyrtar ndaj tij.
Skandali në fjalë, i cili tashmë ka marrë ngjyra të theksuara politike, vjen vetëm një muaj pasi Greqia u trondit nga akuzat për abuzime seksuale dhe përdhunime në atletike, të denoncuara nga ish-kampionia olimpike Sofia Bekatoru. Këto akuza janë pasuar, edhe nga denoncime për abuzime seksuale në gjirin e aktorëve, të cilat kanë kulmuar me historinë e regjizorit të njohur Ligniadhis.
/News31