Arrestimi i banorit ‘VIP’ në Big Brother, avokati: Liami nuk është shtetas shqiptar, policia kapi “prime-n”!

Strukturat e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin bënë ndalimin e shtetasit, Liam Osmani, 44 vjeç, teksa ai ndodhej në shtëpinë e Big Brother Albania Vip 3, ditën e djeshme.

Dritan Shehaj, avokati i Liam Osmanit u shpreh për Breaking me Fiori Dardhën në Top News se ky proces është bërë pa dijenën e tij dhe me avokatë që nuk kanë asnjë lloj kompetence nga ana e Liamit.

Avokati, Dritan Shehaj për Top News: “Unë jam njohur dje me çështjen dhe u desh të mbaja një qëndrim për shkak të paradoksit të situatës. Po flasim për një shtetas të huaj, ndaj të cilit nuk është dhënë asnjë lloji dokumenti për ta njoftuar nga autoritetet e vendit përkatës, gjithçka është bërë në mungesë të tij.

Në vendim i referohet si shtetas shqiptar, gjë që është e gabuar, pasi Liami është shtetas gjerman dhe prej vitit 2019 nuk e ka nënshtetësinë shqiptare, pasi i është hequr me dekret nga Presidenti i Republikës.

Nuk mund të bëhet ky vendim si shabllon, me njoftime të palajmëruara përmes një procesi të bërë pa dijenën e tij dhe me avokatë që nuk kanë asnjë lloj kompetence nga ana e Liamit.

Është shumë e çuditshme se si një vendim i vitit 2022 nuk figuron i regjistruar pranë organeve të policisë ku Liami nga Gjermania kalon i rregullt, vjen në Rinas, nuk del se është i kërkuar, jeton një javë në Tiranë në mes në Bllokut, e shohin në televizor dhe shkojnë e fusin në burg. Duhet të ndihemi mirë që ‘Policia e Shtetit’ e shikon Big Brotherin”.

Kujtojmë se, Gjykata e Tiranës ka vendosur dënimin me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale të “mashtrimit”, në maj të 2022-tës.

Osmani, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani në vitin 2019, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin bënë ndalimin e shtetasit Liam Osmani, 44 vjeç, teksa ai ndodhej në shtëpinë e Big Brother Albania Vip 3.

Prokuroria e Tiranës, më datë 09.05.2022, ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 23.02.2022, për dënimin e këtij shtetasi me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Mashtrimi”.

Ky shtetas, në vitin 2019, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar 17 bileta turistike për në Gjermani, për të cilat nuk ka kryer pagesat përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

voxnews.al