Arredimi i një dhome gjumi: 7 gabime të zakonshme që duhet t’i evitoni!

Dhoma e gjumit është hapësira më personale e një anëtari të familjes apo e një çifti, prandaj të gjithë mund ta arredojnë atë si të duan. Sidoqoftë, ka disa rregulla të arta apo rekomandime gjatë çdo arredimi dhe shpesh, njerëzit nuk i zbatojnë këto rregulla, ndoshta dhe pa e kuptuar. Më poshtë gjeni disa prej gabimeve më të zakonshme që bëhen gjatë arredimit të një dhome gjumi.

1. Komodina pranë shtratit, shumë e lartë ose shumë e ulët

Kur zgjidhni një komodinë për dhomën tuaj, sigurohuni që të ketë lartësinë dhe madhësinë e duhur. Komodina ideale është ajo që ka lartësi thuajse të njëjtë me shtratin dhe që është mjaftueshëm e madhe sa për të vendosur një abazhur të vogël, pa marrë shumë hapësirë.

2. Një shtrat shumë i madh për madhësinë e dhomës

Kur blini një shtrat të ri, është e rëndësishme të merrni parasysh madhësinë e dhomës dhe të zgjidhni një madhësi krevati të përshtatshme. Si rregull, duhet të lini të paktën rreth 76 cm në secilën anë të shtratit, por këto matje mund të ndryshojnë në varësi të dhomës dhe krevatit.

3. Shumë jastëkë

Ky është një gabim që njerëzit e bëjnë shumë shpesh, ndoshta nga dëshira për sa më shumë dekore në shtëpi. Megjithatë, e vërteta është se më shumë jastëkë, do e bëjnë shtratin të duket gjithnjë i rrëmujshëm. Madje, do të jetë dhe më e vështirë për ju ta rregulloni çdo mëngjes. Nga ana tjetër, mungesa e jastëkëve do e bëjë shtratin të duket jo i plotë. Gjeni një ekuilibër dhe sigurohuni që krevati të ketë të paktën 1-2 jastëkë në varësi të krevatit (tek apo dopio).

4. Zgjedhja e kokës së gabuar të krevatit

‘Koka’ e krevatit duhet të përputhet me stilin dhe dekorin e dhomës në mënyrë që të krijoni atmosferën e duhur. Madhësia e shtratit dhe muri në të cilin do të vendoset janë faktorë të tjerë që duhet të merren parasysh.

5. “Zyra” në dhomën e gjumi

Dhoma e gjumit është menduar të jetë një hapësirë relaksimi dhe komoditeti. Kjo është arsyeja pse nuk rekomandohet të keni një tavolinë pune brenda saj. Mund të ndikojë edhe në cilësinë e gjumit. Nëse nuk keni vend në shtëpi për ta përdorur si zyrë, mund ta vendosni tryezën tuaj dhe/ose kompjuterin sa më larg shtratit. Në këtë rast, është gjithashtu e rëndësishme që tryeza e punës të jetë gjithnjë e rregullt.

6. Shumë mobilje brenda dhomës

Përpiquni të mos e teproni duke zënë gjithë hapësirën me mobilje. Mobiljet e përdorura në dhomat e gjumit zakonisht janë objekte mjaft të mëdha (shtrati, dollapi, komodinat etj), prandaj është mirë ta mendoni me kujdes para se të shtoni diçka tjetër.

7. Përdorimi i ngjyrave të ndezura në mure

Rekomandohet të përdorni ngjyra të lehta, të cilat promovojnë një ndjenjë qetësie. E bardha, për shembull, është një zgjedhje e mirë sepse e bën dhomën të duket më e madhe. Megjithatë, kjo mbetet gjithsesi çështje preferencash, idesh dhe konceptesh arredimi.

Burimi: Bright Side

/Anabelmagazine