Arratisja e shqiptarit nga burgu/ Kristian Mëhilli u kap në Amsterdam, me pasaportë false vaksinimi
Mediat italiane i kanë kushtuar rëndësi të veçantë arrestimit të shqiptarit të arratisur nga burgu. Ditën e djeshme ka dalë prokurori i çështjes, u cili e ka konsideruar prangosjen e Kristian Mëhillit si një arritje të madhe, për shkak se akti i arratisjes së tij dhe e tre shokëve të tij, krijonte idenë që ishte frymëzuar nga subjekte të letërsisë.
Mëhilli u arrestua në Amsterdam të Holandës, ndërsa kishte me vete dokumente false. Ai tashmë pritet të ekstradohet në Itali ku do të vihet para drejtësisë edhe për aktin e arratisjes si shtesë mbi masën e dënimit që po vuante në burgun Vercelli.
Sipas të dhënave hetimore që janë bërë publike nga mediat vendase bëhet me dije se nuk dihet se si Mehilli ka mbërritur në Holandë dhe sa ka ndenjur atje.
Ka dyshime që ai është larguar nga Italia menjëherë pas arratisjes pasi ka ndryshuar disa makina, skemë që hetuesit po e rindërtojnë ende, duke pasur parasysh se i kanë arrestuar edhe tre djemtë që e ndihmuan të arratisej.
Mëhilli ka përdorur jo vetëm pasaportë false, por madje edhe pasaportën e vaksinimit po false, çka ka dëshmuar se dikush kishte marrë masa që ai të lëvizte lirshëm nëpër vendet e BE-së. Në Itali, ndërkohë, ekipet policore të Vercelli-t dhe njësia qendrore hetimore e policisë së burgjeve arrestuan bashkëpunëtorët e tij, të gjithë shqiptarë me banim në provincën e Alessandria, të cilët e kishin ndihmuar të arratisej.
Sipas të dhënave të Prokurorisë mësohet se hetimi nisi menjëherë pas arratisjes së guximshme natën e Vitit të Ri, kur Mëhilli dhe shoku i qelisë, Augustin Pjetërgjokaj, sharruan hekurat e qelisë dhe u hodhën në tokë nga kati i katërt me çarçafë. Mëhilli u bë me dije se kishte edhe rreth 6 vite burg pasi ishte i dënuar për një sërë ngjarjesh të rënda, pasi ai dhe grupi me të cilin u arratis ishin akuzuar për grabitje!