Armend Rexhepagiqi flet për kohën kur u shndërrua në fantazmë, arsyet pse s’dilte nga pragu i shtëpisë

Armend Rexhepagiqi iu rikthye skenës pas një mungese të gjatë pa prodhime muzikore për veten e as për të tjerët. Siç e dini, së fundmi ai ka realizuar muzikën e “Tavolina e Mërzisë”, një bashkëpunim me Elvana Gjatën dhe mban vulën e kompozimit të këngëve në albumin e Tuna Sejdiut.

Gjithashtu, ai këndon bashkë me këngëtaren e njohur në një prej këngëve të “Fortuna”. Pas këtij rikthimi me punë të mrekullueshme, kompozitori është ftuar në “NIN” me Alaudin Hamitin, i cili publikoi dje në llogarinë e tij në “Instagram”, një përmbledhje të intervistës që do transmetohet të hënën mbrëma.

Armend-2

Muzikanti i njohur tregoi këndvështrimin e tij për largimin nga muzika, për të cilin është shprehur edhe më herët, se ka qenë i ngopur, ndaj edhe u tërhoq. “Ngopesh nga skena, sipas meje, nëse je njeri normal. Nëse nuk je normal dhe ke atë urinë e brendshme që gjithmonë të të adhurojnë dhe të të lavdërojnë. Nëse ke dëshirë të dukesh gjithmonë më i miri, nuk ngopesh kurrë”, u shpreh ai.
Më tej, Armendi theksoi se ndihet borxhli ndaj atyre që e duan vërtet, për të cilët nuk ishte i vetëdijshëm se ishin kaq shumë në numër. “Njeriu për veten nuk e di dhe unë e kam detyrim për të mos e besuar këtë, sepse përndryshe luan”, përfundoi ai komentin me modestinë që e karakterizon. Malli për muzikë të mirë duket se ka qenë i madh, jo më kot rikthimi i Rexhepagiqit është mirëpritur.

Armend-3
Armend Rexhepagiqi, që prej kohësh është i martuar me këngëtaren, gjithashtu kompozitore dhe tekstshkruese e mirënjohur, Aida Barakun. Të dy kanë kompozuar dhe shkruar tekstet e disa këngëve që kanë qenë hit-e të mëdha, që edhe sot e vazhdojnë punën e tyre, duke sjellë projekte të bukura për shumë këngëtarë shqiptarë.

Armendi është i njohur edhe për stilin e tij të veçantë dhe shumë të komentuar, saqë kishte deklaruar vetë se kishte bërë sherr me orë të tëra me bashkëshorten e tij për shkak që në “Kënga Magjike 2006“, kishte veshur një fund mbi pantallona.

Armend-1

Pasi u shkëputën nga “Top Channel” vite më parë, ku morën përsipër autorësinë e “E diell”, çifti i famshëm hoqi dorë nga jeta publike, aq sa për mediat e Kosovës ishte ngjarje nëse ata shiheshin ndonjëherë në rrugët e Prishtinës, pasi nuk dilnin as nga shtëpia. Heshtjen për herë të parë e thyen para një viti, pasi kishin kohë që nuk ishin shfaqur publikisht në asnjë intervistë apo këngë. Ishte këngëtarja Lori ajo që postoi një foto me çiftin, që i parapriu shfaqjes së Armendit në “Kënga Magjike”, si anëtar jurie i seksionit të të rinjve në “Kënga Magjike”./Panorama Plus