Armela Hyseni rrëfen natën kur qau për herë të fundit: Mjafton të kem muzikë të mirë, sepse alkooli nuk më bën efekt

Ke gjithmonë një buzëqeshje në portret, kjo do të thotë që je e lumtur apo kështu është më mirë të prezantohesh tek njerëzit?
Kam fatin e mirë që të jem e rrethuar vetëm nga njerëz që më falin buzëqeshje prandaj edhe më pëlqen të jem pozitive, të jem një Luledielli.
Jo vetëm për tipin por kryesisht për pamjen e bukur je pëlqyer mjaft nga publiku. Çfarë është bukuri e plotë femërore për ty, dhe ti ke mjaftueshëm besim në vetvete?
Bukuria gjendet tek femra që ndihet rehat me veten dhe nuk lejon presionin social t’i ndikojë në veshje, make-up, stil të ecuri, qëndrim apo model flokësh. Mua personalisht nuk më ndikon, jam e lirë dhe ky është vetëbesim.
Të kemi parë në disa foto si modele ku dukesh vërtet perfekte. Cilat kanë qenë angazhimet e tua konkrete më parë dhe ofertat që ke marrë tani pas “BB9”?
Si fillim ju faleminderit shumë sepse këto vlerësime më lumturojnë pa masë! Mund të them që nuk i kam kushtuar shumë rëndësi në të kaluarën, mjaftueshem do të thosha. Më shumë për të plotësuar dëshirën e mamit. Momentalisht nuk po merrem me aktivitete modelimi, sepse nuk kam dëshirë ta përqendroj imazhin vetëm aty. Dua të krijoj hapësirë dhe për fusha të tjera.
Dimë që studion për Diplomaci. Ke ambicie për të qenë një diplomate në të ardhmen, apo profesioni yt i vërtetë do të jetë televizioni?
Diplomacia është e lidhur ngushtë me gazetarinë dhe televizionin pasi të dyja shtrijnë aktivitetin e tyre në median e re (media Audio-Vizive dhe ajo më e fuqishmja media online). Pra është një degë që më jep fleksibilitet dhe më përgatit profesionalisht për disa role të ndryshme në karrierë, ku sigurisht përfshihet edhe roli i moderatores.
Je përfolur se ti do të zësh vendin e Marina Vjollcës në “Procesi Sportiv” në “TCH”. Sa ka të vërtetë në këtë lajm, dhe është ky formati që të përshtatet më shumë?
“Kur punën e bën me pasion, nuk ke punuar asnjë ditë”, çfarë do të thotë se sfida për mua nuk është lloji i formatit. Ambicia ime synon vetëm të jem e suksesshme kudo që pranoj të bashkëpunoj.
Prezantuesi shqiptar që do të doje ta kishe partner?
Nuk do të mundem kurrë të them emra konkretë, sepse çdo prezantues shndrit ngrohtësi televizive dhe modesti. Do e kisha për nder të moderoja me cilido ikonë televizive.
Cilat janë aspektet e jetës ku dëshiron të jesh gjithmonë fitimtare?
Karriera për mua është shumë e rëndësishme, por si fillim dua të fitoj luftën më të madhe me veten time dhe mentalitetin që më rrethon për t’u lënë vend vetëm ditëve me diell.
Vlera që ke ti si vajzë e që shumë pak persona e dinë?
Faktikisht po bisedoja një ditë me mikun tim Kevin në lidhje me vlerat që ka secili nga ne si person. Çuditërisht, të dy në një gojë thamë “besnikëria”. Më vjen keq që shumë pak persona e dinë madje.
Çfarë të pëlqen më shumë në pamjen tënde dhe çfarë jo?
Do të thosha sytë, pasqyrën e shpirtit.
Nëse do të quanin “pantera e zezë” si Naomi Campbell do e merrje për kompliment?
Është shumë e egzagjeruar të krahasohem me një idhull ndërkombëtar si Campbell, por le të mos gënjej. Më bëhet shumë qejfi kur ma thonë! (qesh).
Kur qave për herë të fundit?
Për herë të fundit kam qarë natën që kam dalë nga shtëpia e “BB”, në momentin që takova gjyshen dhe dëgjova zërin e mamit.
Çfarë të deh ty kur del për jetë nate?
Mjafton të kem muzikë të mirë, pasi alkooli nuk më bën efekt.
Muzika që të bën të imagjinosh një darkë romantike?
Stanaj-Romantic.
Një talent të fshehur që ti ke?
Këndoj…Por nuk është më aq i fshehur pasi ndjekësit kërkojnë vazhdimisht të këndoj në facebook ose Instagram Live.
E fut veten tek njerëzit mendjehapur?
Jam krenare ta quaj veten njëri mendjehapur, sepse jam dakord me çdo fenomen që bën të lumtur dikë pa dëmtuar të tjerët, sado i prapambetur apo “kundër natyrës” të jetë si fenomen.
Një këshillë që do u jepje personave mendjengushtë?
Këshillë:“Jeta është sa e gjatë aq edhe e shkurtër, shih punën tënde!”
Frika jote më e madhe?
Të humbas dikë që e dua.
Puna që s’do të doje ta bëje kurrë më?
Puna është nder dhe privilegj kështu që është e kotë të flas me tepër.
Marrëzia që ka bërë ndonjë fans për ty pas daljes nga shtëpia?
Fatmirësisht nuk ka ndodhur ende asgjë e tillë (qesh).
Volejbolli ka ndihmuar në formimin e fizikut tënd, dhe në ç’aspekt të ka zhvilluar shpirtin e garës apo ambicien për të fituar?
Ambicia për të fituar ishte brenda meje që përpara volleyball-it. Eksperiencat e mëvonshme në sport apo modë e nxorën në pah këtë ambicie, por kam qenë gjithnjë Armela që donte gjithnjë vetëm fitore.
Nëse do të duhej të zgjidhje një vend për të jetuar, cili do të ishte?
Vendi ideal për të jetuar është familja. Aty ku ke familjen, aty je i destinuar të jesh.