Armela e “Big Brother” në krah të reperit pasanik Escobar: “Pse s’e shoh si partner të ardhshëm”
Armela Hyseni e “Big Brother” u pa pak ditë më parë në shoqërinë e ish-mikut milioner të Noizy-t, Emra Hajrizaj, i njohur në muzikë si reperi Escobar. Escobar erdhi nga Londra dhe bëri përshtypje me rrëfimet e tij, duke zbuluar jetën me kosto të lartë, duke filluar nga marrëdhëniet me femrat deri te diamantet që mbante varur në qafë. Për miqësinë me të, arsyen e tërheqjes nga jeta publike, djemtë që i vijnë rrotull pas famës, pse nuk do të donte të bashkëjetonte me VIP-at dhe bukurinë pa sakrifica, Armela tregon detaje në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Foto të bukura, pushime dhe fizik super në formë. Është shtuar kureshtja për ty pas daljes nga “Big Brother” dhe si është jeta jote tani?
Pas daljes nga “Big Brother” isha tërësisht e pushtuar nga mediat. Sigurisht që iu përkushtova medias, pasi më duhej të isha sa më aktive me ndjekësit e mi, domethënë t’u jepja përgjigje pyetjeve që ata kishin. Por kur m’u duk e përshtatshme të largohesha nga ajo vëmendje, preferova të rrija në qetësi. Tani po merrem vetëm me studimet dhe vetëm aq, deri sa t’i përfundoj. Sigurisht që në qoftë se gjej sadopak kohë të lirë, përpiqem të shkoj në plazh dhe pse jo të bëj ndonjë foto të bukur. Sa për fizikun, nuk di ç’të them sepse nuk po ushtroj fare asnjë lloj aktiviteti sportiv.
Fole publikisht për ndërhyrjen estetike në hundë, çfarë nuk të pëlqeu për ta ribërë sërish?
Nuk ishte rezultati që doja të kisha. Hunda ishte natyrale dhe shumë e bukur, por unë preferoj diçka tjetër.
Ndërkohë, befasi ishte shfaqja jote në krah të reperit që bën karrierë në Londër, Escobar. Ku jeni njohur dhe çfarë emri do i vendosje miqësisë suaj?
Me Escobarin jemi njohur nga miq të përbashkët. Jemi thjesht shokë që kalojmë mirë në grup shoqëror.
I pashëm, i pasur dhe reper. Të duket i përshtatshëm për një lidhje stabël?
Këto karakteristika që sapo cilësuat janë thjesht fasada e një personi që mund të jetë shumë, shumë i kompletuar edhe me cilësi të tjera jo vetëm të jashtme, por edhe shpirtërore. Unë nuk e njoh aq mirë dhe nuk e shoh si një partner të ardhshëm, por thjesht si shok të mirë.
Ty vetë të ka shkuar në mendje t’i hysh muzikës, sa e mundur është të të shohim me një klip?
Nuk më mungon zëri, por përkushtimi profesional. Kështu që po them që kurrë nuk i dihet se kur më mbushet mendja.
Të jesh në qendër të vëmendjes është e thjeshtë apo e vështirë për ta menaxhuar si stil jete?
Ndoshta të qenurit në qendër të vëmendjes bën që të kesh më shumë djem që të sillen rrotull, por ama kjo nuk do të thotë që duhet të dalësh me të gjithë. Besoj se njeriu e kupton që në momentin e parë kur e takon dikë, nga kimia që krijohet. Unë ende nuk e kam gjetur dashurinë e vërtetë dhe besoj se është shumë larg nga synimet e mia, por në qoftë se vjen, e ka derën e hapur (Qesh).
Dimë që një nga synimet e tua ishte televizioni. Ke bërë përpjekjet e tua për të depërtuar në atë botë dhe në ç’konkluzion ke dalë?
Në fakt unë nuk kam bërë asnjë përpjekje. Vendosa që t’i largohesha vetë vëmendjes mediatike, detyrimisht edhe televizionit.
Po flitet se do të organizohet “Big Brother VIP Albania”. Të intrigon ideja për të bashkëjetuar me të famshëm?
T’ju them të drejtën, jo. Do ishte shumë stres dhe nuk më duhet ajo lloj energjie në jetën time.
Nga jeta virtuale që shohim në “Instagram” te realiteti, sa ndryshon jeta jote?
Aspak. Madje, mund të them që nuk postoj aq momente të bukura nga jeta ime reale pasi jam person që kam dëshirë t’i përjetoj dhe jo t’i fotografoj momentet. I ruaj në memorie. Pra, jeta ime virtuale është thjesht “sneak peek” nga ajo çfarë realisht është jeta ime.