Arilena Ara tregon si rrallëherë momentin më të vështirë me të atin e saj: Ishte në ditët që do të thoshte mirupafshim…
Ashtu siç lajmëroi me postimet e fundit në rrjetet sociale, Arilena Ara ka qenë ditën e sotme e ftuar në rubrikën ‘Tani mund të këndosh’ me moderatorin e njohur, Ardit Gjebrea. Në një intervistë e cila ka vazhduar gjatë, Arditi e ka pyetur Arilenën nëse ka pasur ndonjë moment në të cilin i është dashur të aktrojë dhe të ngjitet në skenë sikur çdo gjë ka qenë mirë.
“Sigurisht, ka patur shumë momente. Të gjithë i kemi ato momente që nuk jemi mirë nga ana shëndetësore etj etj. Por një moment që ka lënë shenjë në jetën time për vetë faktin që pas atij moment ndryshoi komplet jeta ime, është gjatë kohës kur babi ende jetonte dhe ishte i sëmurë, ishte në ditët e tij që do të thoshte mirupafshim domethënë.
Mori një telefonatë nga Adi Hila, duke qenë se unë isha edhe pjesë e Gjeniut dhe kishin kaluar një vit e gjysmë, ai e telefonoi dhe i tha se do bëjë X Factor dhe Arilena duhet të jetë pjesë e audicioneve. Dëshira e madhe e babit pavarësisht se e dinte ikjen e tij, e dinte që nuk do më ndiqte dot, ishte që goca do jetë patjetër në X factor dhe do ta çoj deri në fund këtë gjë edhe pse nuk do jem unë fizikisht për të.
E mbaj mend atë telefonatë dhe ishte shumë e vështirë nga ana e tij të bënte atë telefonatë. Unë isha shumë e emocionuar, babi ka qenë një njeri që fliste shumë dhe nga lodhja e tij fizike nuk e bënte dot ashtu siç donte, megjithatë ajo ishte telefonata e fundit që ka bërë dhe ka marrë dhe unë pas atij momenti më është dashur të iki në audicionet e X Factor. Ndërkohë që e gjithë familja ime mbante zi për babin pas ikjes së tij, unë u vesha me të bardha dhe ika në audicionin e parë. E qeshur e lumtur, duke mos e ndarë me askënd këtë histori padiskutim dhe mund të them që aty ndryshoi jeta ime. Babi me dha bekimin më të madh”, ka treguar Ara gjatë intervistës me Gjebrean.
Kujtojmë se prej kohësh tashmë, Arilena është një nga zërat më të dashur të skenës shqiptare, falë timbrit të veçantë dhe projekteve të ndryshme muzikore që ka sjellë./revistawho.com