“Argjentinasit edhe kur bëjnë dashuri mendojnë futbollin”, Alban Bushi: Mbape nuk krahasohet me Mesin
Trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, foli pas triumfit të Argjentinës në finalen e Botërorit, teksa nuk munguan elozhet ndaj Mesit dhe kombëtares “albiçeleste”. I ftuar në studion e emisionit “Qatar N’24”, të moderatores Enxhi Biba, në televizionin “News 24”, Bushi ndër të tjera u shpreh:
“Na ka dhënë shumë emocione finalja, askush nuk mund të të japë kaq shumë emocione. Jam i lumtur dhe krenar që kam bërë këtë sport dhe vazhdoj. Në qoftë se do ta merrte Franca, do të ishte shumë e trishtë. Argjentina në minutën e 80-të u bënë njerëzit më të lumtur në botë. Futbolli nuk zëvendësohet me asgjë tjetër.
Deshamp duhet të kishte guxuar me futbollistët e gjatë dhe të fortë. Mendoja që në shtesa do të ishte shumë e fortë Franca, por nuk ndodhi kështu. Argjentina sikur ndryshoi në shtesë. I dha freski sulmit me Lautaron. Ishte një finale, që do të qe gjynah po ta humbte Argjentina. Te Franca ishin shumë të lodhur, mbase ka ndikuar edhe virusi. Dembele nuk është rezultativ. Mesi pati problemet e veta, është 36-vjeç.
Mbape është më i ri, shënon, ka lojtarë, ka cilësi. Mbape nuk krahasohet me Mesin. Maradona ka qenë idhulli jonë, pse mos e merrte Mesi, ka bërë gjëra që nuk bëhen në futboll. Kam pasur shokë argjentinas në ekipet ku kam luajtur dhe janë shumë alegro. Dy më të mirët e botës, janë argjentinas, Maradona dhe Mesi. Edhe kur bëjnë dashuri mendojnë futbollin dhe dalin talentet e mëdhenj”, u shpreh Bushi.
PANORAMASPORT.AL