Ardit Gjebrea ka punuar shumë për ta çuar këtë këngë në finalen e Eurovision
E kuptojmë që mund të jesh mërzitur sepse Besa nuk shkoi në finalen e Eurovision-it, por na lejo të të themi se shqiptarët ndodhen atje dhe janë pjesë e skuadrës së Gjeorgjisë.
Kur themi shqiptarët, e kemi fjalën për Ardit Gjebrean dhe Ada Satka, kompozitore. Të dy ata ndodhen në garën e këngës dhe të rikujtojmë se Gjeorgjia është në finalen e Eurovision-it 2024.
Përmes një postimi në Instagram, Arditi u shpreh:
“Mbrëmjen që përmes një telefonate, Nutsa më ftoi si producent artistik të projektit Eurovision 2024 për Gjeorgjinë, u entuziazmova, por edhe u mendova gjatë…Gjeorgjia, prej 7 vitesh nuk hynte në finalen e Eurosong dhe për mua ishte sfidë, por siguria ime ishte vetë Nutsa. Detaje ka plot, madje dhe shumë të bukura, punë pafund, por e rëndësishme ishte që ky të ishte një projekt ndërkombëtar, ku Shqipëria të ishte zemra e Gjeorgjisë. Dhe në fakt, Natia Mshvenieradze – Kryetare e Delegacionit Gjeorgjian kështu më thotë: “Ardit, ti je zemra e skuadrës sonë!”.
“Në këtë projekt zbulova një kompozitore shqiptare të super talentuar Ada Satka, e cila jeton në SHBA dhe tashmë edhe në Shqipëri, dhe bashkë me mikun dhe bashkëpunëtorin e shumë artistëve shqiptarë Darko Dimitrov, u krijua kënga “Firefighter”. Miguel dhe Nick, dy balerinë që kanë qënë në Kënga Magjike 2019, së bashku me Luigi, Andrea, Dlova dhe Dante, formuan ekipin koreografik me të cilin u punua për çdo detaj. Dhe qershia mbi tortë (meritë e Nutsa-s) ishte Drejtori Kreativ i skenës, Sagiv Karpel – i American Idol 2023. Dhe ja ku jemi sonte në natën finale! Ia dolëm të jemi!”.
“Bëmë zgjedhjet e duhura, sepse kënga është projekt, i cili kurohet në çdo detaj, pa folur për punën aq profesionale të PR që bën Lasha Kapanadze. Jemi një skuadër me një artiste të jashtëzakonshme! E kush nuk dëshiron të fitojë një festival?! Por ajo që i thashë Nutsa-s mbrëmë pas provës së përgjithshme të finales ishte: “Festivali për ty ka mbaruar, ti je ajo që të gjithë të duan për artisten dhe njeriun që je. Jam i sigurt që do të të ftojnë ngado, sidomos në aktivitetet e mëpasme të Eurosong. Gjurma që po lë, është e jashtëzakonshme dhe nga nesër, fillo të mendosh për gjurmët e reja” Juritë kanë votuar që mbrëmë dhe sonte voton publiku. Ndaj ftoj gjithë shqiptarët që të votojnë Nr.24 që është Gjeorgjia, pasi aty jemi edhe ne, shqiptarët!”, përmbylli Arditi.
Gjeorgjia konkurroi me këngën “Firefighter” – Nutsa Buzaladze.
Ora News