Ardit Çuni: Me Danielën bashkë për të rrëfyer vuajtjet tona në baladën e shpirtit
Vjen me baladën e shpirtit të tij, e cila do të jetë një melhelm për shpirtin e 14-vjeçares së talentuar në këtë duet, Daniela Toçit. Ardit Çuni është vetëm 22 vjeç dhe tashmë në anën tjetër të llogores, vendos të vijë si guru shpirtëror i Danielës dhe të gjithë atyre që s’kanë asnjë para në xhep për të bërë realitet ëndrrat e tyre. “Qaj” është balada e parë e karrierës së tij, e cila i ka bërë të qajnë të gjithë, duke kryesuar me 2 milionë klikime në “Youtube”, e duke u komentuar si favorite për të fituar “Kënga Magjike’. Për “Panorama Plus” Arditi rrëfen historinë e trishtë që e bëri bashkë me Danielën në këtë duet dhe çfarë e shtyu të heqë dorë nga luksi i klipeve dhe të zbresë me këmbë në tokë për të ndjekur zemrën.
Rikthehesh në “Kënga Magjike” pas vitit 2014 me “Digju” dhe një viti më vonë me “Me zemër”. Nga zjarri i pasionit te loti i dhimbjes, në sa faza rritjeje profesionale ke kaluar si artist?
Fazat e rritjes profesionale s’kanë fund për një artist. Ka ulje, ngritje, bërryla, dashuri dhe mbështetje. Të gjitha këto ndjenja komplekse përbëjnë eksperiencën time si artist. “Me Zemër” ka qenë produksioni me profesional në karrierën time artistike dhe ngelet si më i veçanti, duke qenë se është shkruar dhe kompozuar nga fituesi i Eurovision (Loreen/Euphoria). Pengu im në “Kënga Magjike” është që kjo këngë nuk arriti të merrte një nga çmimet në natën finale.
“Balada jonë e shpirtit” ke shkruar me postimin e “Qaj”. Ç’të shkrepi në kokë për një këngë që i bëri të gjithë të qajnë?
Do të thoja, ç’më ndjeu zemra në ato momente… Më erdhi një déjà vu e jetës time, si edhe shumë shqiptarëve të tjerë. Sa pak jemi, sa shumë vuajmë! Kishte ardhur koha për një reflektim artistik, një moment pushimi nga performancat e mia me balerinë dhe me shumë elementë skenike.
Bën bujë me krijimin e Marsel Gungës & Samanta Karavellës dhe vargje të Fifit. Si lindi ky bashkëpunim me Samantën?
Unë me Marselin kam një bashkëpunim prej 2 vitesh dhe jam me fat që më ka dhuruar disa nga hit-et më të mira, që kam në repertorin tim. Sa i përket Samantës dhe Fifit, me Samantën ndaj një shoqëri shumë të veçantë prej vitesh dhe është ndër ato artiste që e kam pasur afër që në fillimet e mia. Samanta shquhet për baladat e saj aq të ndjera dhe të kthyera në hit-e, kështu që për të realizuar baladën time duhej të mblidhja disa nga njerëzit që kanë shkëlqyer në këtë zhanër. Fifi pastaj i dha formë me tekstin e saj kaq emocional, me të cilin bëri kaq njerëz të qajnë. Nuk mund të isha më falënderues se kaq me bashkëpunëtoret e kësaj kënge, të cilën e kam quajtur “balada jonë e shpirtit”.
Pse vendose të konkurrosh në një festival të madh me një vajzë të vogël si Daniela Toçi nga Kukësi, e cila goditi menjëherë me zërin e saj në “The Voice Kids”?
Nganjëherë skenat e mëdha duan gjëra të vogla për të shkëlqyer. Mes shumë mundësive të bashkëpunimit, këtë 20-vjetor vendosa të zgjedh realitetin, emocionin dhe të ndjek zemrën time. Daniela ishte inspirimi që ndezi dhe zjarrin për ta bërë realitet këtë këngë, këtë baladë të parë të karrierës sime, të cilën e kisha pritur gjatë. Historia e saj kaq prekëse dhe vokali kaq emocional bëri që të ishte bashkëpunëtorja ideale e këtij rrugëtimi.
Në duetin tuaj i drejtohesh Danielës me vargjet: “Ai, unë jam ai, si engjëll mbrojtës jam për ty, thjesht dorën ma shtrëngo…” Ç’marrëdhënie keni ju në këtë këngë?
Teksti është lënë i hapur, pra, që çdo njeri ta ndiejë sipas historisë personale të tij apo saj. Unë në këtë rast jam një njeri, i cili ka përjetuar në fëmijërinë e tij të njëjtat gjëra që Daniela përjeton sot.
Ç’vështirësi ke kaluar ti në muzikë apo në jetë që nuk ia uron Danielës?
Nëse do flasim për realitetin, nuk më vjen turp të them që nuk kam pasur mundësi të paguaj për artin që bëj sot, të paguaj për të marrë një këngë nga një producent i njohur, e as nuk kam pasur mundësi shpeshherë të marr pjesë nëpër kompeticione, për shkak të shpenzimeve ekonomike që duheshin mbuluar në atë kohë. Kolegët e mi ndoshta i gjenin dyert e hapura dhe ishin favoritë në vende të ndryshme, për shkak se studiot ku blinin këngët ua mundësonin. Por nuk më vjen keq për asgjë, sepse tregu ka treguar që çdo artist, nëse vlen, mund të mbijetojë në treg dhe të shkëlqejë me ose pa producentë të njohur, apo labels me emër. Sot akoma në 2018-n arti vazhdon të bëhet mes shumë problematikash dhe vështirësive ekonomike, por në fund të ditës jam i lumtur dhe i mbushur për faktin që kam arritur një stad që t’i jap suportin tim Danielës, atë që mua nuk ma ka dhënë dikush në kohën kur më duhej (Shpeshherë ky suporti duket sikur po i kërkon bukën e gojës apo lekë nga xhepi, kur ndërkohë ajo që po i ofron ti është thjesht një mundësi bashkëpunimi siç ndodh në mbarë botën).
Që nga pjesëmarrja në vitin 2012 në “X Factor Albania 1”, të kemi parë edhe si moderator. Të ka ndodhur të qash në vetmi nga pamundësia për të arritur çfarë ke dashur?
Po, e kam prekur dhe fushën e moderimit dhe në vitin 2015, kur drejtoja emisionin “SHINE”, kemi rezultuar goxha të suksesshëm. Është një fushë, të cilën e kam lënë në heshtje për shkak se muzika ka marrë fokus total. Unë si njeri jam shumë i fortë, por nga brenda vuaj shumë. Sigurisht që ka situata përgjatë karrierës sime që më kanë lodhur, më kanë bërë të humb motivimin, por në asnjë moment nuk ua kam vënë fajin të tjerëve, por kam parë veten para pasqyrës dhe e kam pyetur se çfarë nuk shkon me mua. Vetëm në këtë mënyrë nuk kam humbur vullnetin për të punuar dhe për ta mbajtur kokën lart, që çdo gjë që kam arritur sot e kam falë vetes dhe punës së madhe që bëj.
Si ndihesh pasi ke kapur 2 milionë shikime për “Qaj”. Cila është magjia e kësaj kënge, që është pëlqyer shumë edhe pse është koha e komercit?
E si mund të ndihem tjetër përveçse shumë i lumtur, së pari, mesazhi i këngës ka shkuar në vendin e duhur pasi ky ishte dhe qëllimi kryesor. Njerëzit janë lodhur nga luksi dhe shitje në ekran i gjërave që nuk i kemi në përditshmëri. Edhe unë e kam bërë dhe s’ka asgjë të keqe në këtë mes, por vjen një moment që e ke bërë mjaftueshëm, saqë të duhet të vish me këmbë në tokë dhe të qash për një gjë që e sheh çdo ditë, e ndien çdo ditë, e prek çdo ditë. Në sytë e shqiptarëve ka dhimbje, ka lot dhe kjo ndoshta na bën popull akoma më të fortë, më të patrembur ndaj vështirësive. Mesazhi në vetvete është magjia e këtij produksioni./Panorama Plus