Anxhelina tregon për mbështetjen nga familja Kardashian dhe për një “reality show” nga Hadërgjonajt dhe Ramosajt
Rikthimi i Anxhelina Hadërgjonajt në muzikë i solli asaj edhe një surprizë të papritur, siç ishte mbështetja e Kim Kardashian. Kjo e fundit shpërndau asokohe në profilin e Instagram-it këngën e Anxhelinës, “Precious”. Pasditen e djeshme, në një intervistë për programin “Pardon my French” në Top Albania Radio, këngëtarja shqiptare tregoi për moderatorët Jonida Aliçkolli dhe Kejvin Kalo se ishte habitur shumë nga ky veprim. Siç e dimë, Anxhelina është shoqja më e mirë e grimierit të familjes Kardashian-Jenner, Ariel dhe siç duket kjo ka qenë një ndër arsyet pse Kim ka publikuar projektin e fundit muzikor të artistes.
“Kim i kishte thënë Arielit që do shpërndante këngën, por nuk e besova se do e bënte me të vërtetë këtë gjë. Por, kur e pashë që e kishte shpërndarë shtanga. Dhe për 10 minuta nuk kam bërë asnjë veprim, thjesht rrija e shikoja postimin e saj. Kënga i ka pëlqyer jo vetëm Kim, por gjithë familjes së saj. Më kishin komplimentuar gjithnjë për veshjen, për look-un, por kur panë edhe punën si artiste, më komplimentuan edhe për muzikën që bëj. ”– tha Anxhelina ndër të tjera.
E teksa flisnin për Kim, Anxhelinës iu propozua nga Jonida që edhe familja Hadërgjonaj-Ramosaj mund të vinte me një “reality show” si të Kardashian-Jenner në Shqipëri. Ky propozim mori një përgjigje pozitive nga Anxhelina, e cila tha se do pranonte, ndërsa shqiptarët do zbulonin karaktere të çuditshme nga familje e tyre:
“Do e pranoja me gjithë qef kjo të ndodhte sepse shqiptarët do zbulonin karaktere shumë të çuditshme brenda familjes sonë, jemi shumë të ndryshëm. Unë do isha si Kim, që i gjuan Kourtney-t”
/News31