Anisa Mukaj: Në Milano më krahasojnë me Catherine Zeta Zeta-Jones, tek meshkujt italianë më pëlqen…

Ish-velina brune e programit investigativ “Fiks Fare” në “Top Channel”, Anisa Mukaj këtë sezon të ri televiziv na përshëndet nga Milano. Ajo po realizon setet e para të fotove artistike për agjencinë më të madhe atje “Major Model Management”. Për revistën “Story”, Anisa rrëfen jetën e re si modele ku pas studios, tani ndan të njëjtën dhomë me ish-kolegen velinë, Briseida Mehmeti…

Sezonin e kaluar të pamë si velinë në “Fiks Fare”, por tani ke nisur karrierën si modele në Milano. Për çfarë projekti i ke realizuar fotot e fundit?
Po, është e vërtetë që sapo kam nisur rrugën time drejt modelingut këtu në Milano. Kam vetëm dy javë që kam ardhur dhe mund të them që gjërat po shkojnë shumë mirë. Kam nënshkruar një kontratë 2 vjeçare me “Major Model Management”, e cila është një nga agjensitë më të mëdha dhe më të suksesshme këtu në Milano dhe jo vetëm, pasi zyrat e tyre ndodhen edhe në Paris, New York dhe Munich.
Si kanë qenë ditët e para të punës si modele?
Gjatë këtyre ditëve kam realizuar disa sete fotografike me dy fotografë të ndryshëm, foto të realizuara këto për të pasuruar më shumë book-un. Gjithashtu përveç kësaj kam bërë dhe punën time të parë si modele. Jam pjesë e katalogut të një brand-i të ri “Frei Clothing”.
Ekspozimi i trupit bie në sy në këto foto të para. Të është dashur të mbash regjim për të pasur linja të kuruara para se të pranoje ofertën në Itali?
Tani po i kushtoj më shumë rëndësi kësaj pjese. Të qenurit në formë vjen si meritë e të ushqyerit shëndetshëm dhe ushtrimit në palestër.
Me kë imazh të njohur femëror në botë të krahasojnë profesionistët italianë kur të shohin?
Pavarësisht se unë nuk shoh ndonjë ngjashmëri më kanë krahasuar me aktoren amerikane, Catherine Zeta- Jones.
Ekzistojnë ngacmimet apo joshjet e ndryshme në këtë lloj profesioni, dhe si do e përshkruaje krahasuar me punën në televizion?
Ngacmimet janë bërë për femrat, dhe duam apo s’duam në një mënyrë apo tjetër janë pjesë e pashmangshme e përditshmërisë sonë. Akoma më tepër ato janë prezente nëse një femër zgjedh të bëjë diçka në lidhje me modën apo televizionin, pasi puna e këtyre natyrave gjithnjë e ka intriguar syrin mashkullor. Gjithçka që ndodh shpesh konsiderohet si rutinë, ndaj mund të them që ngacmimet tashmë nuk i ndryshojnë asgjë ditës sime. Secila nga ajo që kam zgjedhur të bëj, qoftë në fushën e modës apo televizionit ka bukurinë e vet. Unë nuk dëshiroj t’i ndaj, ose më mirë të them janë aq të ngushta me mua sa s’mundem t’i veçoj.
Ke filluar të dalësh me ndonjë djalë italian, dhe çfarë të pëlqen ose jo tek ata?
Kam ardhur këtu për një qëllim tjetër, punën. Tek meshkujt italianë më pëlqen përkujdesja që kanë ndaj femrës, dhe vlerësimi i duhur që i japin.
Nëse papritur gjen dashurine e jetës, do e braktisje karrierën për familjen?
Familja ka qenë historikisht dhe do të jetë gjithmonë streha më e ngrohtë e njeriut. Karriera mund të të japë kënaqësi momentale, mund të të lartësojë figurën, mund të të bëjë të ndjehesh mirë dhe e arrirë, por mendoj që thellë-thellë ajo e humbet betejën përballë familjes; kjo e fundit mbetet e çmuar në përjetësi. Nëse do të mundja do t’i mbaja të dyja. Nëse do të isha e detyruar të zgjidhja, besoj se u kuptua përgjigjja nga çfarë thashë më lart.