Anisa Mukaj: Modele në Itali? Duhet të ndash apartamentin me modele të tjera…

Ç’mund të na tregosh për jetën e re si modele në Europë, sa paguhesh, çfarë regjimi ditor mban dhe a është jetë torturuese ashtu siç rrëfejnë modelet e famshme në intervistat e tyre?
Nuk kam shumë për të treguar, sepse jam ende në fillimet e mia. Por kam kuptuar që është një jetesë po aq sa e vështirë aq edhe e bukur. Duhet të ndash apartamentin me modelë të tjerë, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Duhet të zgjohesh herët në mëngjes madje të vraposh dhe të kapësh metronë, pasi duhet të shkosh në disa casting. Kur shkon atje shikon që janë 500 vajza aty, të gjitha për një synim dhe ata do të marrin vetëm një. Të duhet të qëndrosh në rradhë për disa orë rresht dhe të mos përzgjidhesh. Por sigurisht ka dhe ditë ku ti punon, pozon para aparatit me orë të tëra dhe merr në fund një lloj sadiksfaksioni, e ndihesh e plotësuar. Për sa u përket pagesave janë në varësi të punës që bën. Si përfundim mendoj se për çdo profesion që dëshiron të ushtrosh, fillimi nuk është i lehtë dhe modelingu është nga ato profesione që s’të premton gjatë.
Ndërkohë edhe ish-kolegen velinë në “Fiks Fare”, Briseida Mehmetin e kemi parë në fotot me ty në Itali. Ju lidh diçka tani jashtë vendit?
Mesa duket fati na ka bashkuar dhe këtë herë (qesh). Kemi qenë bashkë pjesë e “Fiks Fare” për tre vite rradhazi, nga e cila lindi një miqësi shumë e mirë. Kemi marrë të njëjtin drejtim për të provuar diçka të re jashtë Shqipërisë. Kemi ardhur bashkë këtu dhe jemi gjithashtu pjesë e së njëjtës agjensi. Jetojmë bashkë dhe ndajmë të njëjtën dhomë.
Nga bionde ajo tani është bërë brune si ty. Si të duket?
Përsa i përket ndryshimit në look të Brisit, ende s’jemi mësuar me idenë që tani jemi dy brune. Më pëlqen shumë brune, mendoj se çfarëdo ndryshimi që ajo të bëjë do të duket bukur gjithmonë.
Tani që jeton larg për çfarë të merr malli, pra ç’të mungon nga Shqipëria?
Më merr malli për gjithçka. Familjen, miqtë, qenushen time Pinkin, shtëpinë, madje dhe për ushqimet e gatuara nga babai im.
E mendon kthimin pas në Tiranë, dhe deri ku shkojnë synimet që i ke vënë qëllim vetes t’i arrish?
Nuk do të qëndroj në Milano përjetësisht. (qesh) Këtë javë kthehem në Tiranë për disa angazhime të tjera të miat. Pastaj do të udhëtoj drejt Turqisë, dhe më pas drejt Gjermanisë. Qëllim vetes i kam vënë që të punoj shumë dhe të jap më të mirën time.