Anisa Mukaj largohet nga “Fiks Fare”: Pas eksperiencës tre vjeçare si velinë, në shtator do të lëviz jashtë Shqipërisë pasi…

“Po kërkoja diçka më të mirë për veten, dhe kështu ndodhi…”, thotë për revistën “Story” velina brune e “Fiks Fare”, Anisa Mukaj, e cila po përgatitet për të nisur një karrierë të re si modele jashtë Shqipërinë. Në shtator ajo nuk do të jetë më velinë, pasi i janë ofruar disa mundësi të mira rreth botës së modelingut, të cilave kurrsesi nuk mund t’i refuzonte ndaj iu desh të heqë dorë nga pozicioni i të qenurit velinë. Brunia tipike vjen në këtë rrëfim të veçantë për revistën “Story”, bashkë me një set fotosh të realizuara në plazhin e Durrësit. Anisa flet rreth pasionit për sportet e rrezikshme, pse refuzon të konsumojë alkoolin, qejfin këtë verë në Capri, dhe çfarë e bën tunduese në sytë e djemve.

Fotot në plazh me një top volejbolli në duar intrigojnë këtë verë. Ku janë realizuar dhe sa e lidhur je me sportin?
Fotot janë realizuar në plazhin e Durrësit. Me sportin jam e lidhur mjaftueshëm dhe më tërheqin sporte të natyrave të ndryshme.
Të pëlqejnë sportet e rrrezikshme apo sportet argëtuese? Më pëlqen deri diku rreziku, edhe pse jo nëse do të më jepej rasti do të guxoja të provoja edhe sporte që konsiderohen të rrezikshme.
Kur je në plazh preferon më shumë të notosh, të luash volejboll apo thjesht të rrish e shtrirë dhe të marrësh rreze?
Të treja bashkë. Kur vendos të shkoj me pushime i kam të pandara këto elementë pasi janë plotësuese të gjithë pushimit në tërësi. Noti më pëlqen shumë, po ashtu edhe volejbolli, ndërsa sa për marrjen e rrezeve të diellit është një kënaqësi dhe një shlodhje e vërtetë. Nëse rrezet nuk do të përbënin rrezik do të qëndroja pafundësisht përballë tyre.
E gjatë, me forma dhe misterioze në portret. Çfarë mendon se të bën tunduese në sytë e djemve kur je duke pushuar?
Mendoj se tunduese nuk të bën gjatësia dhe as format. Mund t’i posedosh të gjitha këto, por mund të ndodhe të mos jesh tunduese. Përsa i përket vetes sime mendoj se djemtë i tundon veçantia, thjeshtësia e sjelljes dhe e komunikimit. I tundon mënyra e të sjellurit në lëvizje larg banalitetit si dhe mënyra delikate e të folurit. Një sjellje e spikatur në kompleks, e natyrshme është ndonjëherë shumë shumë më shumë tunduese se sa forma të tjera të sajuara, që i ndërton vetë njeriu për të rënë në qendër të vëmendjes.
Këto të fundit shpesh herë rezultojne dështuese.Nga Capri në plazhet e Jugut, ku ke pushuar dhe me kë këtë verë?
Në Capri kam pushuar me mamin dhe motrën. Ishte një perlë dhe s’ka më bukur kur një mrekulli të tillë zgjedh ta kalosh dhe ta ndash si kënaqësi me pjesëtarë të familjes. Me familjen gjithçka merr bukuri tjetër qoftë edhe një vend sado i thjeshtë, pasi kënaqësitë e jetës i fiton së pari nga njerëzit dhe më pas nga vendet që plotësojnë kornizën e lumturisë.
E konsumon alkoolin kur arratisesh në plazh për t’u argëtuar?
Alkoolin nuk e kam preferuar kurrë për ta konsumuar në çfarëdolloj rrethane, dhe shpresoj të më mbetet larg për gjithë jetën.
Çfarë nënkupton me qejf të vërtetë sipas konceptit që ke për stilin e jetës?
Me “qejf” nënkuptoj një dëshirë deri diku të shfrenuar, momentale dhe jo vetëm, që shpesh merr përmasat e një fenomeni të rëndomtë, pre e të cilit bie shpesh rinia dhe si rezultat mund të vinë pasoja të paparashikueshme. Ai është zanafilla e shumë dëmeve në jetë, ndaj duhet kontrolluar dhe të ruhet brenda limiteve, përndryshe mund të kanosen rreziqe të përmasave të ndryshme.
Do të jesh sërish velinë e “Fiks Fare”, apo sezonin e ri do të shohim diku tjetër?
Mbetet gjithmonë kënaqësi të jesh pjesë e “Fiks Fare”, por mbas kësaj eksperiencë tre vjeçare po kërkoja diçka më të mirë për veten dhe kështu ndodhi.Në shtator do të lëviz jashtë Shqipërisë, pasi më janë ofruar disa mundësi të mira rreth botës së modelingut. Pas pranimit të këtyre ofertave që kurrsesi nuk mund t’i refuzoja m’u desh të largohesha nga pozicioni i të qenurit “Velinë”. Si përfundim mund të them që ky rrugëtim më ka shërbyer shumë. Do ta kujtoj gjithmonë si emisionin që hapi dyert e mia drejt rruges së televizionit, dhe si një ndër eksperiencat e mia më të bukura që do të mbetet gjatë në mendjen time.