Angelina Jolie merr kthesën e jetës, deklaron hyrjen në politikë

Është një yll Hollivudi, por kjo nuk e pengon të synojë edhe politikën. Angelina Jolie ka lënë të kuptohet se një lëvizje e tillë nuk do të ishte aspak e pagjasë. “Nëse do të më kishit pyetur 20 vjet më parë, do të qeshja, por tani them se do të shkoj aty ku nevojitem”, është shprehur ajo. Jolie është e dërguar e posaçme e agjensisë së OKB-së për refugjatët dhe një aktiviste e zellshme për një sërë çështjesh që përfshijnë refugjatët, dhunën seksuale dhe mbrojtjen e natyrës.

Në një intervistë për BBC, aktorja diskutoi një sërë çështjesh duke nisur nga mediat sociale e deri tek politika në Shtetet e Bashkuara, e aty bëri dhe pohimin e fortë: nuk e di nëse jam e prerë për politikë, por në fund të fundit nuk kam përse të mos e provoj. “Jam në gjendje të punoj me qeveritë, jam në gjendje të punoj me ushtritë, pra jam në një pozicion mjaft interesant për të qenë në gjendje që të bëj shumë gjëra”, u shpreh Jolie, sipas Top Channel. E pyetur nëse mund të ishte në listën e 30 apo 40 demokratëve që do të konkurrojnë për nominimin presidencial, ajo nuk tha “JO”, por u përgjigj vetëm me një “Faleminderit!”.