Angela Merkel është sëmurë? Kancelarja dridhje të forta gjatë një ceremonie
Herën e parë, kur dridhjet e forta të saj gjatë një ceremonie në krah të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski tërhoqën menjëherë vëmendjen e shkaktuan pështjellim, Angela Merkel fajësoi të nxehtin e madh për episodin. Kancelarja tha se ishte dehidratuar dhe se pas tre gotave ujë, e kishte marrë veten plotësisht.
Por incidenti u përsërit sërish sot, gjate një ceremonie të shkurtër në Bundestag. 8 ditë pas ngjarjes së parë, shefja e ekzekutivit gjerman, që duhet të niset drejt Japonisë për samitin e G20-ës, u pa të dridhej përsëri. Pamjet filmike e tregojnë 64 vjeçaren me duart e kryqëzuara ndërsa trupi i dridhet; pas rreth dy minutash, ajo u qetësua dhe përgëzoi ministren e re të drejtësisë për zyrtarizimin në këtë post, shkruan Top Channel. Merkelit iu ofrua një gotë ujë, por nuk e piu.
Agjencia gjermane e lajmeve DPA tha se pavarësisht të nxehtit të madh jashtë, brenda në sallën ku presidenti Frank-Walter Steinmeier po prezantonte ministren Christine Lambrecht, ishte shumë fresk. Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert, i hodhi poshtë shqetësimet rreth shëndetit të saj, duke thënë se kancelarja është shumë mirë.