Angela Martini tregon tentativën e përdhunimit në vitin 1996 në Shkodër
Një rrëfim mbi të kalurën e Angela Martini dhe nënës së saj është përmbledhur në një libër i shkruar nga vetë modelja, “Dashuri, Shpresë, Dritë”. Subjekti i librit i përket totalisht jetës së vështirë dhe të kaluarës jo dhe aq të lehtë të Angelës dhe nënës së saj. Rrëfimi i Martinit nis me martesën e parë të së ëmës në moshën 20-vjeçare dhe vijon me lindjen e vëllait të saj të madh e më pas divorcin. Mirëpo e ëma u martua sërish me bashkëshortin e parë dhe pasi lidhja e tyre nuk funksiononte më u ndanë përfundimisht.
Ndër të tjera modelja rrëfen se cila ishte arsyeja kryesore e vajtjes në Zvicër, çfarë e detyroi nënën e saj ta dërgonte në një vend të largët e mbi të gjitha të jetonte në një banesë me bashkëshorten tjetër të babait e cila nuk i falte aspak dashuri. Tentativa për përdhunim në vitin 1996 e dërgoi Angelën shumë larg familjarëve dhe vendit ku jetonte. Teksa ishte duke luajtur me një shoqe në një prej lagjeve të Shkodrës një burrë i afrohet dhe i bën disa pyetje rreth familjes e më pas i thotë të shkojë me të për t’i blerë akullore.
Angela rrëfen se pak më tutje ajo dalloi një makinë që e priste me një burrë tjetër brenda dhe e kuptoi që do ta rrëmbenin, për këtë arsye i kafshoi dorën burrit që kishte përballë dhe bërtiti, duke bërë që të gjithë të dilnin jashtë.