Andia Vs Dania, ku ndryshojnë e dashura e Eugent Bushpepës nga modelja e klipit

Ndërkohë që presim edicionin e 63-të Eurovision, që do të zhvillohet në Lisbonë nga data 8-12 Maj, mediat kanë publikuar klipin e këngës “Mall”. Krijimi me të cilën artisti Eugent Bushpepa fitoi Festivalin e 56-të të Këngës në RTSH është një dedikim shpirtëror për partneren e tij Andian, me të cilën bashkëjeton prej më shumë se gjashtë vitesh. Njeriu i tij i zemrës e ndoqi nga salla e Pallatit të Kongreseve duke i sjellë dhe fatin e mirë Bushpepës. ”Story.al” ju sjell fotot ekskluzive nga paskuintat e Gentit me Andian, të shkrepura pas fitores së tij nga paparazzi i revistës “Story”. Pas fitores Genti ende pa u përshëndetur me të, iu desh të jepte intervistat e para, fotot e para, të përballej me gazetarët në post festival dhe pastaj të largohej i lumtur bashkë me kupën dhe partneren e tij të zemrës, për të cilën ai shkroi këtë këngë që nga vargjet e deri tek muzika. Ashtu siç kanë rrëfyer ata në një studio televizive rreth një viti më parë, dashuria mes tyre lindi në lokalin ku këngëtari i muzikës rock këndonte. Ndërkohë RTSH ka prezantuar klipin zyrtar të këngës “Mall”, ku personazhi real i Andias, vjen me imazhin e modeles Dania Bazaiti. Të dyja brune, duket se organizatorët kanë bërë zgjedhjen e duhur. “Mall” është një klip monochrome, ku motivet shqiptare vijnë në kostumet e balerinëve me fustanellën, xhubletën e jelekun, në përfaqësim të të gjithë trevave shqiptare. Ngjyrat klipi i merr nga interpretimi i shkëlqyer i Bushpepës, e fabula e ndjerë e dashurisë me shikim të parë mes dy të rinjve. Në lidhje me komentet se versioni i ri i këngës nuk transmeton emocionin e versionit të parë, Bushpepa shprehet: “Unë normalisht preferoj versionin e vjetër se ashtu është konceptuar fillimisht kënga dhe teksi ka një rrjedhë. Por besoj se për një vesh të ri që do ta dëgjojë këngën, ky versioni i ri do të jetë më kompakt”. /Story.al/