ANALIZA/ Vladimir Putini kujdeset vetëm për një gjë, dhe kjo nuk ka lidhje me oligarkët! Pse sanksionet perëndimore nuk ‘pijnë ujë’
Nga Eileen O’Connor*, ish-gazetare dhe avokate që ka punuar në Rusi dhe Ukrainë.
Në vitin 1996, kur unë isha shefe e zyrës në Moskë për CNN, një betejë po zhvillohej midis një fraksioni oligarkësh të korruptuar dhe miqve të truprojës së Presidentit Boris Jelcin, i cili po kërkonte më shumë para prej tyre për “mbrojtje” politike dhe kërcënonte të anulonte zgjedhjet e planifikuara.
I bëra Anatoli Chubais, i cili në atë kohë ishte zëvendëskryeministër, pyetjen që dukej më me vlerë: Çfarë është më e rëndësishme për rusët, pushteti apo paraja?
Ai u përgjigj: “Nëse duhet të pyesësh, nuk e kupton Rusinë”. Përgjigja ishte pushteti.
Ndërsa presidenti Vladimir Putin përballet me provën më të madhe të drejtimit të tij tashmë 22-vjeçar të shtetit, në mes të një rezistence të madhe ukrainase dhe sanksioneve shtrënguese ndaj oligarkëve, transfertave të naftës dhe teknologjisë, përgjigja mbetet e njëjtë, siç ka ndodhur gjatë gjithë historisë ruse.
Shumë në Perëndim shpresojnë për dështimin e Vladimir Putin. Ata nuk e kuptojnë Rusinë apo qëndrimet që njerëzit atje kanë ndaj pushtetit.
Studiuesit rusë kanë vërejtur prej kohësh se mungesa e të drejtave mbi pronën private dhe drejtësisë së paanshme shkaktojnë që aktorët shtetërorë të mbajnë pushtetin që përcakton jetën e rusëve në çdo mënyrë.
Përtej kufijve të saj, Rusia që nga shekulli i 15-të e ka ushtruar pushtetin e saj përmes agresionit ushtarak. Në një vend ku pushteti është pothuajse gjithçka, vetëm sanksionet dhe pasuritë e humbura nuk do ta ndryshojnë atë dinamikë themelore.
Fjalimi i Vladimir Putin në fillim të këtij muaji dëshmon çështjen dhe ilustron atë që ai dhe shumë në Rusi e shohin si objektivin e luftës: mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit rus kundër dominimit perëndimor.
Për të, Perëndimi e ka injoruar Rusinë për një kohë të gjatë dhe i ka mohuar statusin e superfuqisë.
Në demokracitë kapitaliste perëndimore, pasuria shpesh barazohet me aksesin dhe ndikimin.
Pra, nuk është për t’u habitur që shumë besojnë se sanksionimi i oligarkëve mund t’i shtyjë ata të bëjnë presion ndaj Putin për të ndryshuar kursin.
Kjo është një llogaritje e gabuar. Këta oligarkë mund të zotërojnë pasuri që i lidh me pushtetin dhe që mund të përdoret nga Putin, por në Rusi, kjo nuk do të thotë se ata kanë ndonjë pushtet mbi të ose mbi ata në Kremlin.
Gjithçka shkon prapa në vitet 1990, kur pashë kryesisht ish-zyrtarë të Partisë Komuniste që grumbullonin pasuri nëpërmjet një privatizimi të aseteve shtetërore të mbikëqyrura nga zoti Chubais.
Ata që më pas u zotuan për besnikëri dhe i dhanë para hua fushatës politike të zotit Yeltsin, u bënë edhe më të pasur, iu dhanë pronësia e ndërmarrjeve më të mëdha shtetërore në naftë, gaz dhe lëndë të para si nikeli dhe alumini. Sot ata mbeten njerëzit më të pasur në Rusi.
Por mungesa e të drejtave të pronësisë të përcaktuara siç duhet dhe e një kuadri ligjor dhe institucional për t’i mbrojtur ato nënkuptonin se këta oligarkë vareshin ende nga Kremlini, i “pushtuar” që nga viti 2000 nga Putin.
Vendimet e gjykatës pro ose kundër oligarkëve mund të anulohen lehtësisht në varësi të favorit të Kremlinit.
Në vitet 2000, pasi kalova në punë si avokate që përfaqësonte investitorët perëndimorë në rajon, e pashë vetë këtë dinamikë.
Dhe burimi i pasurisë së oligarkëve nuk është e vetmja gjë që mund të kontrollojë zoti Putin. Ai ka bërë të qartë rreziqet që do të kishte sfida ndaj qëndrimit të tij në pushtet.
Merrni rastin e Mikhail Khodorkovsky, i cili dikur ishte njeriu më i pasur në Rusi.
Duke u ngritur nga radhët e Rinisë Komuniste, Khodorkovsky fitoi disa fusha nafte në pronësi të dikurshme shtetërore në Siberi dhe formoi korporatën Yukos. Në një dalje televizive në Kremlin në vitin 2003, ai guxoi të kritikonte qeverinë si të korruptuar. Putin u përgjigj duke ia hequr pasuritë zotit Khodorkovsky dhe e futi në burg për 10 vjet, derisa u lejua të largohej për të jetuar në mërgim.
Përvoja si kjo e Khodorkovsky mund të shpjegojnë pse kaq pak oligarkë po flasin tani.
Të vetmit që kanë thënë diçka për luftën e kanë bërë këtë nga komoditeti i vendeve si Londra, ku Mikhail Fridman, themeluesi i Alfa-Bank, bëri një deklaratë duke thënë se “lufta nuk mund të jetë kurrë përgjigjja” – por jo duke kritikuar presidentin rus.
Të vetmit njerëz që mund ta ndikojnë vërtetë zotin Putin janë ideologët që ndajnë pikëpamjet e tij, të ashtuquajturit siloviki. Fjala fjalë për fjalë do të thotë njerëz me forcë…
Përkthyer nga ‘NYTimes’