“Ambulancës i mungonte impianti”, Brataj reagon pas akuzës së botuesit të Kadaresë: Është kryer gjithçka sipas protokollit mjekësor
Gjatë ceremonisë së varrimit të gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare botuesi i veprave të Bujar Hudhri tij ka lëshuar një akuzë në lidhje me autoambulancën që ka shkuar në shtëpinë e Kadaresë.
“E morën në ashensor ishte gjendje gati e ngrirë, hipën në ambulancë shumë e thjeshtë pa impiant me zor kemi carë rrugët e Tiranës megjithëse ulërinte sirena derisa mbërritëm në urgjencën e QSUT dhe pak sa hapej dera shikoje mobilizimi i mjekëve”, tha Bujar Hudhri.
Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i kreut të qendrës Kombëtare të Urgjencës Dr Skënder Brataj i cili njihet tanimë edhe si mik por dhe mjek i Kadaresë që ka asistuar shkrimtarin që nga koha e pandemisë Covid dhe për çdo shqetësim shëndetësor që ka shfaqur në këto vite duke shprehur se është kryer gjithçka sipas protokollit mjekësor.
Brataj siguroi që jo vetëm në këtë rast por gjithmonë ka pasur një gatishmëri për kujdes shëndetësor ndërkohë që tha se autoambulancat në Tiranë janë të reja dhe të pajisura me të gjitha mjetet si defibrilator, pacemaker apo mjete të tjera që u vijë në ndihmë pacientëve.
“Zoti Hudhri vetëm të mos ketë pasur syze sepse defibliratoti ishte i montuar tek pacienti dhe ekipi mjekësor që bënte masazhin kardiak deri në spital, mesa di ka ardhur më vonë pasi e ka gjetur në vendngjarje, është vepruar sipas çdo protokolli për të shpëtuar jetën e zotit Kadare.
Nuk e di nëse në botues është në gjendje të vlerësojë një ekip mjekësh apo një ambulance. Por ajo që do të thoja është që Kadare prej 4 vjetësh që është në Shqipëri ka pasur në dispozicion ekipin shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, midis rezidencës në Qerret dhe në Tiranë ku sa herë ka qenë e nevojshme kemi qenë prezentë. Personalisht kam pasur një raport të tillë që për çdo gjë isha prezent.
Nga momenti që është bërë telefonata ka shkuar ekipi që ndodhet te qendra shëndetësore nr. 8 pas shtëpisë së tij brenda pak minutash. E kanë gjetur në kushte arresti. Është dërguar edhe një ekip i dytë në vendngjarje duke menduar që mund të ishte i nevojshëm transporti i menjëhershëm. Ekipi i parë ka zbritur dhe e ka shoqëruar në QSUT.
Përgënjeshtroj çdo deklaratë që mund të bëhet nga kushdo sepse kam qenë vetë prezent, e di shumë mirë si është bërë. Është dëshmitare vetë familja Kadare që e kanë falënderuar ekipin”, tha Brataj.
Top Channel