Alma Çupi flet për divorcin dhe marrëdhënien e vështirë me të bijën

Gazetarja Alma Çupi portretizohet si një figurë shumë sportive dhe pa komplekse. Kjo edhe falë punës së saj, realizimit të reportazheve në çdo cep të Shqipërisë e jo vetëm. E kur shumë kemi parë nga ajo në ekran, pak dimë për jetën personale të Almës. Së fundmi, ajo është rrëfyer si rrallëherë për vajzën, divorcin, e detaje të tjera të pathëna në një intervistë.

Edhe pse nuk e ekspozon shumë në mediat sociale, Alma ka një vajzë e cila jeton Gjermani ku ndjek studimet. Ajo rrëfeu se raporti i tyre ka hasur në vështirësi, por tani po e ndërtojnë sërish. “Me vajzën, Arbën, nuk ka qenë e lehtë sidomos në adoleshencë. Kjo edhe për fajin tim, sepse unë kam qenë gjithnjë e impenjuar me punë. Por, tashmë që është bërë 24 vjeç është mirënjohëse për të gjitha gjërat. Edhe unë kam folur me të, kam kërkuar falje, e kam riparuar marrëdhënien. Duhet të kemi kurajo të kërkojmë falje kur nuk dimë të sillemi. Në fillim ka qenë e vështirë, por tani po e ndërtojmë marrëdhënien.”

Gazetarja është e divorcuar me ish-partnerin e saj, babin e Arbës. Alma tregoi se familja e ish-bashkëshortit ishte e pasur, por kjo nuk e tundoi atë të mos i jepte fund martesës që nuk e bënte të ndjehej e lirë.

“Unë kam bërë gjithmonë rebelen. Edhe kur kam qenë e martuar me babain e vajzës, familja e tyre ishte shumë e pasur dhe vetëm unë mund ta ndaja. Vetëm unë mund ta bëja këtë gjë, pasi mund të bëja kompromis shumë të mirë. Por unë doja të isha unë. Kur hy në shtëpi dua ta përplas derën dhe s’dua të më thotë njeri pse e përplase derën. Unë e kam bërë (divorcin) dhe nuk jam pishman. Po mos ta kisha bërë nuk do isha sot këtu. I them dhe vajzave dhe grave që janë në situata të tilla: Bëjeni”, deklaroi Alma.