Alkooli dhe festat/ Dr. Anisa Lico: Ju dëmton dhe s’është afrodiziak, pija provokon dëshirën por e heq performancën!!
Sipas raportit te publikuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, (CDC) Centers for Disease Control and Prevention, ne vitin 2014, përdorimi i alkoolit është vlerësuar të kontribuojë në 3.3 milionë vdekje në vit në nivel global dhe gati 223.5 miliardë dollarë në shpenzime monetare vetëm për Shtetet e Bashkuara. Gati 75% e kësaj i atribuohet pirjes së tepërt, e përcaktuar nga NIAAA (The National Institute on Alcohol Abuse and Alcoholism), si konsum i etanolit që rezulton në përqendrimet e etanolit në gjak (BECs) prej 0.08 mg/dL ose më të larta. Alkooli është emri i zakonshëm për alkoolin etilik, elementi dehës në pijet e fermentuara dhe të distiluara. Në kundërshtim me besimin popullor, alkooli nuk është një substance stimuluese edhe pse ka disa efekte fillestare stimuluese. Animacioni i zhurmshëm në eventet me pije alkoolike është për shkak të efektit të alkoolit si një depresant. Sasi të vogla alkooli japin ndjenja relaksi dhe euforie. Sasitë më të mëdha shkaktojnë dëmtim me të madh të trurit derisa i dehuri humbet vetëdijen. Alkooli gjithashtu nuk është afrodiziak. Edhe pse duket sikur rrit zgjimin seksual, ai dëmton performancën, veçanërisht te meshkujt. Siç pershkroi William Shakespeare shumë kohë më parë, pija “provokon dëshirën, por e heq performancën”.
Disa njerëz relaksohen dhe bëhen miqësorë kur janë të dehur. Të tjerët bëhen agresivë dhe duan të debatojnë ose të konfliktohen. Normalisht lind pyetja, si mund të ketë efekte kaq të ndryshme e njejat substance? Disa njerëz pijnë për kënaqësi, ndërsa të tjerë pijnë për të përballuar emocionet negative, si ankthi dhe depresioni. Kjo është arsyeja pse abuzimi me alkoolin rritet me rritjen e nivelit te stresit në jetën e njerëzve.
Sipas artikullit me te fundit “Vdekjet e lidhura me alkoolin gjatë pandemisë COVID-19” te publikuar ne mars te vitit 2022 ne revisten mjekesore JAMA, konsumimi i alkoolit dhe pasojat e lidhura me të janë rritur gjatë vitit të parë të pandemisë COVID-19. Studimet raportuan rritje të pijeve për të përballuar stresin, rritje te numrit te transplanteve te heparit per shkak te patologjive të lidhura me alkoolin si dhe rritja e numrit te vizitave në urgjencë për shkak te konsumimit të alkoolit. Studimi tregon se numri i vdekjeve të lidhura me alkoolin u rrit afërsisht 25% midis 2019 dhe 2020, viti i parë i pandemisë COVID-19. Madje rritja e shkallës për vdekjet e lidhura me alkoolin në vitin 2020 tejkaloi rritjen e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e cila ishte 16.6%.
Sipas National Center for Drug Abuse Statistics (NCDAS) (Qendra Kombëtare për Statistikat e abuzimit me substancat) 140,557 amerikanë vdesin nga efektet e alkoolit në një vit mesatarisht, që do të thotë se cdo ditë, 385 amerikanë vdesin si pasojë e përdorimit të tepërt të alkoolit. California, Texas dhe Florida shohin numrin më të madh të vdekjeve qe i atribuohen konsumimit te alkoolit. Në mars te vitit 2020, 180 njerëz vdiqën në Iran pasi konsumuan alkool të bërë vetë për shkak të informacionit të pasaktë që u perhap se alkooli mbronte nga COVID.
Sipas artikullit” Si ndikon alkooli në trupin tuaj” te publikuar ne WebMD ne Nentor te vitit 2021, në varësi të sasisë që konsumohet, alkooli ka efekte te ndryshme ne trupin e njeriut. Për të reduktuar rrezikun e dëmeve të lidhura me alkoolin, Udhëzimet Dietike 2020-2025 për Amerikanët (Dietary Guidelines for Americans) rekomandojnë që të rriturit në moshë të ligjshme të pijes mund të zgjedhin të mos pijnë ose të pijnë në mënyrë të moderuar duke kufizuar marrjen në 2 pije ose më pak në ditë për meshkujt dhe ne 1 pije ose më pak në ditë për femrat, në ditët kur konsumohet alkool. Konsumimi i sasive te medha dhe për një kohë të gjatë shfaq probleme serioze shëndetësore sidomos sëmundje të zemrës dhe dëmtim te heparit. Kjo është arsyeja pse zgjedhja më e mirë është të shijohet alkooli në menyre te moderuar. Por cfare ndodh konkretisht nese konsumohet alkool jashte kornizave te udhezimeve mjekesore dhe dietetike.
Reduktim i madhësisë së trurit
Konsumimi i sasive të mëdha dhe për një kohë të gjatë te alkoolit mund te ndikojnë në pamjen dhe funksionimin e trurit. Qelizat e tij fillojnë të ndryshojnë dhe madje bëhen më të vogla duke çuar ne tkurrjen e trurit ose reduktimin e madhesise se tij, gjë e cila ka efekte të mëdha në aftësinë për të menduar, arsyetuar dhe memorizuar. Gjithashtu mund të bëjë më të vështirë mbajtjen e një temperature të qëndrueshme të trupit dhe kontrollin e lëvizjeve duke çuar ne humbjen e ekuilibrit. Konsum i madh do të thotë 8 ose më shumë pije në javë për gratë dhe 15 ose më shumë për burrat.
Gjumë jo i shëndetshëm
Efekti depresant i alkoolit ben që në truri të jetë i përgjumur duke shkaktuar dremitje të shpeshta dhe më lehtë. Por ato nuk jane gjumë i qetë. Trupi përpunon alkoolin gjatë gjithë natës dhe pasi efektet largohen, lë pas një gjendje të parehatshme me makthe dhe ëndrra të shumëta. Truri nuk arrin të bëjë gjumë të mirë REM që trupi ka nevojë që të ndihet i rivendosur, i rifuqizuar. Gjithashtu zgjimet e shpeshta ndodhin per shkak të diurezës së shtuar.
Efektet ne aparatin gastrointestinal
Alkooli irriton mukozën e stomakut për shkak të rritjes se aciditetit. Sasi e madhe alkooli dhe aciditet i lartë janë faktoret kryesore qe çojne në nauze dhe të vjella. Konsumimi per kohe te gjate i alkoolit dhe aciditeti i shtuar jane nje nder shkaqet kryesore te acarimit të mukozës së stomakut të quajtur gastrit dhe ne krijimin e ulçerave gastrike, te cilat per shkak te errozionit te madh qe i bejne mureve te stomakut, mund te perforohen ose te çahen dhe te japin kuadrin e nje urgjence kirurgjikale qe kerkon nderhyrje te menjehershme dhe eshte jetekerkenuese. Rritja e aciditetit gastrik dhe reklaksimi i sfinkterit gastroezofageal shtojne refluksin gastroezofageal. Ansat intestinale irritohen gjithashtu dhe pirja e fortë mund të çojë në diarre, e cila mund të kthehet në një problem afatgjatë.
Dehidrim i trupit përmes urinimit të shpeshtë
Truri e ndihmon trupin të qëndrojë i hidratuar duke prodhuar një hormon të quajtur Hormoni Antidiuretik (ADH), që i mban renet (veshkat) të mos prodhojnë shumë urinë. Por kur alkooli hyn në veprim, ai ndalon prodhimin e këtij hormoni. Sasia e reduktuar e ADH jep një nxitje më të madhe për të urinuar, gjë që mund të shkaktojë dehidratim. Kur konsumohet shumë alkool dhe për vite me radhë shfaqen efektet toksike të alkoolit duke shkaktuar dëmtim te funksionit renal.
Patologjitë e heparit dhe pankreasit
Hepari eshte organi i cili metabolizon pjesen me te madhe te alkoolit që konsumohet duke trajtuar shumë toksina. Ky proces krijon substanca që janë më të dëmshme se alkooli. Sasi të mëdha të këtyre substancave depozitohen ne qelizat e heparit duke shkaktuar patologji serioze të saj si hepatit alkoolik, steatozë, cirrozë etj. Keto substanca pengojne fuksionimin normal te heparit duke i bere hepatocitet (qelizat hepatike) te mos furnizohen me lendet e nevojshme per te mbijetuar. Ne keto kushte qelizat vdesin duke shkaktuar demtime te parikthyeshme. Alkooli shkakton 4 nga 5 vdekje nga sëmundjet e heparit. Nga ana tjetër, pankreasi eshte organi i cili krahas prodhimit te insulines qe kontrollon sasine e glukozes ne gjak, prodhon dhe substanca te tjera (enzima) te cilat ndihmojne ne procesin e tretjes ( shperberjes) se ushqimeve. Por pirja e tepërt e alkoolit e pengon këtë proces. Kimikatet qëndrojnë brenda pankreasit dhe së bashku me toksinat nga alkooli, ato mund të shkaktojnë inflamacion te pankreasit me kalimin e kohës duke çuar ne dëmtime serioze. Nje nga keto demtime serioze eshte dhe pamundesia e pankreasit per te prodhuar insulinen, duke çuar ne shfaqjen e diabetit dhe rritjen e riskut për t’u prekur nga kanceri i pankreasit.
Semundjet kardiake
Kur flasim per ndikimin e alkoolit ne shendetin e zemres, hapet nje debat i madh. Artikulli i publikuar ne John Hopkins Medicine argumenton se disa studime kanë treguar një lidhje midis marrjes së moderuar të alkoolit dhe një rreziku më të ulët të vdekjes nga sëmundjet e zemrës, megjithate është e vështirë të përcaktohet shkaku dhe efekti nga ato studime. Shkrimi argumenton se ndoshta njerëzit që pijnë verë të kuqe kanë të ardhura më të larta, priren të jenë më te informuar, te kene akses dhe te konsumojne një dietë të shëndetshme për zemrën. Ka disa prova që sasitë e moderuara të alkoolit mund të ndihmojnë në rritjen e lehtë të niveleve të kolesterolit “të mirë” HDL ne gjak e cila mbron zemren. Studiuesit kanë sugjeruar gjithashtu se vera e kuqe, në veçanti, mund të mbrojë zemrën falë antioksidantëve që përmban. Por keto benefite mund te merren ne menyra te tjera, nuk eshte e thene patjeter konsumimi i veres. Aktiviteti fizik gjithashtu mund të rrisë nivelet e HDL kolesterolit dhe antioksidantët mund të gjenden në ushqime të tjera, si frutat dhe perimet. Ndërkohe qe konsumimi per kohe te gjate i alkoolit për vite me radhe çon ne çrregullime permanente të ritmit të zemrës dhe shkakton atë që quhet aritmi. “Alkooli e lodh zemrën” dhe me kalimin e kohës, ai bën që muskujt e zemrës të humbasin aftesine e tkurrjes duke bere qe zemra te sforcohet shume per te plotesuar keskesat e organeve per gjak. Alkooli rrit presionin e gjakut duke bere qe te clirohen hormonet e stresit, te cilat ngushtojne enet e gjakut dhe bejne qe zemra te detyrohet te pompoje akoma me fort. Por, nderkohe per shkak lodhjes ajo me kalimin e kohes pompon me pak gjak ne drejtim te ketyre organeve, gje e cila ne fazat terminale behet nje nga shkaqet e insufiçencës multiorganore. Nga ana tjeter, vazodilatacioni periferik si pasoje e konsumimit te alkolit eshte shkaku i lekures me ngjyre te kuqe ne fazat e para te pirjes.
Humbja e dëgjimit
Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të dëmtojë organet e veshit të brendshëm duke bere që tingujt te mos dërgohen në tru dhe duke shkaktuar keshtu humbje të dëgjimit. Keto organe te veshit te brendshem te demtuara nuk rigjenerohen duke bere qe humbja e dëgjimit që vjen nga dëmtimi i tyre të jete i përhershëm.
Kocka të brishta dhe më pak muskuj
Pirja e tepërt mund të ulë nivelet e kalciumit ne gjak. Së bashku me ndryshimet hormonale që shkakton alkooli, që mund të pengojnë trupin nga ndërtimi i kockave të reja. Kockat bëhen më të holla dhe më të brishta, një gjendje e quajtur osteoporozë. Alkooli gjithashtu kufizon rrjedhjen e gjakut në muskujt dhe pengon proteinat që i ndertojne ato. Me kalimin e kohës, bie sasia e mases muskulare dhe per pasoje vihet re humbje e fuqise te aparatit lokomotor.
Sistemi imunitar dhe hormonet
Alkooli frenon sistemin imunitar te trupit i cili eshte pergjegjes per mbrojtjen e organizmit kur ai kercenohet nga agjentet patogjene, duke i bere personat qe konsumojne alkool me vulnerabel per tu prekur nga infeksionet. Konsumatorët kronikë janë më të prirur ndaj sëmundjeve si pneumonia dhe tuberkulozi sesa njerëzit që nuk konsumojne alkool. Studimet e fundit kane treguar se alkooli ndikon negativisht ne fertilitetin e femrave si dhe ul sasine e teststosteronit tek meshkujt duke ndikuar automatikisht ne prodhimin e spermes.
Semundjet kanceroze
Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit: “Ekziston një konsensus i fortë shkencor se pirja e alkoolit mund të shkaktojë disa lloje kanceri”. Në raportin e tij mbi kancerogjenët, Programi Kombëtar i Toksikologjisë i Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, rendit konsumin e pijeve alkoolike si një kancerogjen i njohur për njerëzit.
Sipas tij gratë që konsumojnë rreth 1 pije në ditë kanë një shans 5 deri në 9 për qind më të lartë për të zhvilluar kancer gjiri sesa gratë që nuk konsumojne aspak alkool. Bazuar në të dhënat nga 2009, vlerësohet se 3.5% e vdekjeve nga kanceri në Shtetet e Bashkuara rreth 19,500 vdekje ishin të lidhura me alkoolin.”
Si përfundim, jemi në prag festash dhe pavaresisht të gjitha efekteve të përmendura më lart, ka individë që vendosin të konsumojnë alkoolin, fundja jeta është zgjedhje personale. Edhe për këtë grup janë disa udhëzime të publikuara nga Instituti Kombëtar për Abuzimin me Alkoolin dhe Alkoolizmin që mund të jenë të dobishme:
Mendoni për pijen tuaj paraprakisht, planifikoni se si do ta menaxhoni atë dhe mbani shënim sa pini.
Mundohuni të pini ngadalë (jo më shumë se një pije në orë), konsumoni ushqim ndërkohë qe jeni duke konsumuar alkool. “Mos keni turp” që herë pas here të merrni dhe pije joalkoolike.
Kufizoni pirjen e alkoolit kryesisht në orët e para të një eventi apo feste shoqërore.
Praktikohuni se si të refuzoni pijet me mirësjellje, por me vendosmëri.
Mësoni si të relaksoheni, të takoni njerëz dhe të shoqëroheni pa u mbështetur në alkool.
Shënim: Artikulli për revistën “Story” mban autorësine e Dr. Anisa Liço, Kirurge e Përgjithshme.