Alida dhe Grazia zihen, por anën e kujt mban Stine në rast sherri mes kunatash
I njohim të dy si këngëtarë, por rrallëherë i shohim të flasin në një intervistë si vëlla e motër. Stine dhe Alida Duka ishin të ftuar mbrëmjen kaluar në Soiree me Jonida Shehun dhe dhanë intervistën e tyre të parë si vëlla e motër.
Ata treguan se kanë ndarë bashkë që në fëmijëri pasionin dhe talentin për muzikën, madje kanë sakrifikuar për të ndjekur shkollën e muzikës, duke bërë 2 kilometra rrugë në këmbë, edhe nëpër dëborë.
Edhe sot ata kanë një raport shumë të ngushtë me njëri-tjetrin, qoftë si motër dhe vëlla, por edhe në jetën e tyre artistike. Kurioziteti është i madh edhe mbi raportin që Alida ka me bashkëshorten e Stines, Grazian, që gjithashtu është këngëtare.
Të pyetur nga Jonida Shehu se cilën anë mban Stine në një sherr mes kunatash, referuar këtu Alidës dhe Grazias, të dy kanë dhënë përgjigje të ndryshme.
“Anën e gruas normalisht”, është shprehur Stine duke qeshur dhe më pas shtoi se, në fakt, nuk i ndan sot dhe secila ka vendin e saj.
Por Alida, nga ana tjetër, u përgjigj e bindur se ai ka mbajtur anën e saj.
Nuk i vëmë faj Stines që mund të jetë sikletosur nga kjo pyetje!