Alex Seitaj: “Largohem nga “Portokalli” për të shëtitur botën me kroçere”

Alex Seitaj është aktori që u identifikua si femra me përvojë, “Vezirja” në spektaklin e humorit “Portokalli”, një karakter me shumë impakt në audiencën shqiptare. Por këtë sezon të ri ai ka vendosur të largohet nga ky show për të nisur aventurë të re nëpër botë si animator në një kroçere ku është punësuar. Për përjetimet shpirtërore të një kllouni në spektaklin e humorit ku jo të gjithë e kuptonin humorin e tij dhe jetën e re që aq shumë e kishte ëndërruar, Alex flet për “Panorama Plus”.

Pas një eksperience si aktor në spektaklin e humorit “Portokalli”, këtë sezon vendos të largohesh. Është e vërtetë që përgatitesh të lësh Shqipërinë për të punuar në një kroçere?

Përveç profesionit tim dhe karrierës sime, nga ana njerëzore, kam pasur nevojë për një ndryshim. Gjithmonë më kanë pëlqyer kulturat e ndryshme të botës dhe kjo është një mënyrë interesante për të punuar, por gjithashtu edhe për të parë botën. Fatmirësisht, do të jem brenda profesionit, pasi do të punoj në sektorin e animimit. Duke filluar që nga drejtimi i mbrëmjeve të karaokeve e deri te interpretimi në “show–variete” në teatrin e kroçeres. Praktikisht do të jetë puna që kam bërë këtu në tokë, por tashmë do jetë në det.

received_709509722743940

Të udhëtosh në gjithë botën është një nga ëndrrat e tua dhe për cilat vende ke më shumë kureshtje?

Do të më pëlqente të vizitoja vende që kanë kultura të ndryshme nga e jona. Një nga vendet që mezi po pres të vizitoj është India. Më magjeps kultura dhe qytetet e tyre. Më pas do të jetë kënaqësi të vizitoj vendet më të bukura të Europës.

Si do të jetë e ardhmja jote, duke qenë se në Shqipëri je njohur si këngëtar dhe aktor?

Absolutisht nuk do të largohem nga arti. Madje as nga audienca shqiptare. Nëpërmjet internetit do të kem mundësi të postoj projektet e mia artistike, madje edhe rrugëtimin tim, kështu që ndjekësit e mi të jenë pjesë e udhëtimit tim.

received_322426955228880-1

Sezonin e kaluar të “Portokalli” të pamë në versionin grotesk alla shqiptar “Sex and dhe city” me aktorët e tjerë të këtij show. Ti cilën kategori femrash përfaqësoje?

Asnjëherë në jetë nuk e kam imagjinuar që “Vezirja” do të kishte aq shumë impakt në audiencën shqiptare. E kam shkruar si personazh kohë më parë, duke u përpjekur të krijoj një “antagoniste” një “antihero”. Ajo mbart në vete të gjitha tiparet e “pjeshkës” me përvojë, shoqëruar me dramaticitetin e telenovelave spanjolle. Tepër e hidhur, sarkastike dhe egoiste. Por mendoj se detaji që e ka bërë këtë personazh të pëlqehet nga audienca (sidomos femrat) është fakti se Vezirja nuk do t’ia dijë për askënd. Është e pavarur, brutalisht e drejtpërdrejtë dhe për të burrat janë thjesht aksesorë.

Është e vështirë të jesh një femër, apo më komode se të jesh mashkull?

Nuk mendoj që një fustan, këpucë me taka dhe 7 kile makijazh të bën femër. Femra ka shumë elementë që shkojnë përtej pamjes së jashtme. Unë që jam mashkull dhe e identifikoj veten si mashkull nuk do t’i kuptoj dot kurrë këto elemente. Ato që përmenda më sipër janë thjesht detaje “femërore”, le t’i quajmë. Gjithsesi, mendoj që takat dhe sutjenat nuk janë veshje, por mjete torture. Të veshësh rroba mashkullore është definitivisht më komode, për mua, sigurisht.

Ke synuar gjithmonë të jesh artist i sofistikuar me idetë dhe mënyrën se si prezantohesh tek publiku. Je ndier ndonjëherë i moskuptuar?

Ky është arti im dhe nuk mund të bëj tjetër lloj. Kjo varet edhe nga influencat e mia që janë më së tepërmi amerikane. Unë bëj humorin që MUA më bën për të qeshur. I mbushur me sarkazëm dhe jo gjithmonë i drejtpërdrejtë. Gjithmonë është dashur një nivel i caktuar intelekti për të kuptuar humorin tim. Për këtë arsye, për shumë njerëz ka qenë humor alien. Megjithatë më vjen shumë mirë të them se shqiptarët po lodhen me mënyrën tradicionale dhe të vjetëruar të humorit dhe po kërkojnë diçka tjetër. Kam gati 4 vjet që bëj humor dhe vetëm vitet e fundit audienca ime është zgjeruar goxha. Njerëzit kanë filluar ta kuptojnë dhe shijojnë humorin tim. Ajo çka unë kam synuar që në fillim, është të krijoj një figurë, tek e cila të identifikohen njerëzit e konsideruar të çuditshëm, të përjashtuar apo që nuk i përkasin shumicës. Si përfundim, me shumë modesti, atë që e bën Alex mund ta bëjë vetëm Alex.

Nëse do të ishe një klloun në spektaklin “Portokalli”, cili mund të ishte ai fenomeni që do i bënte sytë e tu të lotonin?

Po Vezirja është një klloun, hahah… Madje, një klloun ka më pak makiazh se Vezirja. Gjëja që më ka prekur gjithmonë është suporti i fuqishëm i fansave të mi. Dashuria dhe besnikëria që kanë pasur ndaj meje për gjithë këto vite. Gjithashtu më bëjnë të lotoj të gjithë ata që janë frymëzuar nga arti im dhe kanë marrë guximin për të qenë vetvetja në një shoqëri që e mbyt individualizmin.

received_304306357015914-1

Si është jeta e një aktori humori, e lumtur dhe plot të qeshura, apo dhe ju kishit vuajtjet tuaja pas kuintave të “Portokalli”?

Askush nuk e ka jetën vetëm me të qeshura. Unë vij nga një shkollë aktrimi, e kjo do të thotë që profesionalizmi është i shenjtë për mua. Duhet të performoj dhe t’i lë ndodhitë personale mënjanë edhe atëherë kur mund të ndihem keq shpirtërisht. Por gjithsesi, jam një person që më pëlqen të qesh dhe të bëj të tjerët për të qeshur. Shpeshherë, jam personi që qesh me batutat e mia. Ose mendoj diçka për të qeshur dhe filloj e qesh vetë, duke u dukur shumë i çuditshëm në sytë e personave të tjerë, që nuk e dinë ç’po ndodh në kokën time.

E ke provuar dashurinë në Shqipëri dhe të ka bërë të ndihesh në qiellin e shtatë apo të ka fundosur?

Edhe pse kam jetuar në Shqipëri pjesën më të madhe të jetës, dashurinë e kam provuar, por jashtë kufijve. Dhe si çdo dashuri e vërtetë, kam kapur qiellin e shtatë e më pas kam rënë shtatë qiej me fytyrë në tokë. Por edhe ajo pjesë, ka bukurinë e vet.

Paratë që do të bësh gjatë lundrimit me kroçere nëpër botë, do vish t’i shpenzosh në Shqipëri, apo s’do kthehesh kurrë këtu?

Jam menaxhues shumë i mirë i lekut. E theksoj “menaxhues”, jo kursimtar, pasi mund të gjej 1001 mënyra për ta prishur. Shpresoj, që kur të kthehem në Shqipëri, të ketë mbetur diçka për të shpenzuar. Gjithsesi, është koha që ta lë veten të lirë dhe kjo do të thotë, asnjë plan afatgjatë për tani.