Albi Nako shkakton konfuzion me jetën e tij, lë Albën për t’u ribashkuar me Klaudian në Itali
Jeta personale e koreografit Albi Nako po kthehet në një film me shumë seri mes dy balerinave të tij, ishbashkëshortes Klaudia Pepa dhe të dashurës pas prishjes së martesës, Alba Hoxha.
Pak ditë më parë emri i tij ishte kryefjala e lajmeve rozë, pasi u përfol se ishte transferuar në Itali për të nisur një jetë të re jo vetëm në karrierë, por edhe atë private. Ishte Albi ai që në profilin e “Instagram”-it publikoi një foto në ambientet e “Rai”-t e të gjithë i uronin suksese.
Vëmendje në këtë fotografi morën komentet e ish-bashkëshortes Klaudia Pepa si dhe Alba Hoxhës. Duket, se pozitat e Klaudias në ish, dhe Albës, të dashur, kanë ndryshuar sërish pasi duket se Alba tashmë është një ish dhe Klaudia mund të jetë aktuale.
Dyshimet lindën pasi Klaudia i uronte publikisht fat, ndërsa Alba e pyeste në komente: “Domethënë na le?” Thashethemet se ai po vendoset në Itali për një ribashkim me Klaudian lindën pasi edhe balerina e njohur postonte video e foto nga i njëjti qytet, Milano, gjatë ditëve të qëndrimit të tij.
Miq të afërt të tyre dyshojnë në një rikthim të çiftit, edhe për faktin se tashmë erdhi koha që Klaudia, e cila është bërë shumë e famshme në Itali, ka rastin t’ia shpërblejë mundin e para disa viteve Albit. Kujtojmë që në kohën kur ata ishin ende të martuar, ishte Albi ai që, siç u shpreh vetë, e çoi me duart e veta Klaudian në studion e Mediaset dhe bëri maksimumin që ajo të bëhej pjesë e “Amici”.
Pas përfundimit të spektaklit, Klaudia kishte fituar famën në Itali, por humbi martesën në Shqipëri. Edhe pse Albi dha si argument të ndarjes, dëshirën e tij prej profesionisti që ajo të ishte e lirë për të vazhduar karrierën jashtë vendit, vetëm pak ditë më parë Klaudia i befasoi të gjithë, pasi deklaroi hapur në “Instagram”: “Ai më la”. Po si qëndron e vërteta e largimit të tij nga Shqipëria, dhe cili do të jetë angazhimi i tij në “Rai”?
“Njeriu është i lirë që të bëjë zgjedhje në jetë dhe të mos qëndrojë në një vend. Jam në një tentativë projekti brenda ‘Rai’-t që ka lidhje me baletin, sigurisht. Nuk jam shkëputur nga televizioni ‘Klan’ sepse unë aty kalova 20 vite të karrierës dhe arritjeve të mia profesionale. Për sa kohë do të ketë projekte të reja, unë jam i gatshëm të bashkëpunoj. Sa i takon ‘Rai’-t, jam 80% afër realizmit të këtij projekti të madh”, tregoi Albi për një revistë.
Ndërsa i pyetur nëse projekti i tij kishte lidhje me ishpartneren, Klaudia Pepën, përgjigjja e tij u mor me rezerva, ndërsa tha: “Nuk do të jem afër me Klaudian, edhe pse projekti im i ri ka lidhje me baletin”.
NDRYSHIMI 360 GRADË I JETËS SË ALBI NAKOS 5 MUAJ PASI DOLI HAPUR MË ALBËN
Fiks një vit nga koha kur koreografi i njohur Albi Nako deklaroi në emisionin e Rudina Magjistarit divorcin nga bashkëshortja e tij Klaudia Pepa nisi të dilte në skenë balerina tjetër e trupës së tij, Alba Hoxha.
Edhe pse kishte kohë që përflitej se në ambientin e punës ai po frekuentohej me balerinën e tij Alba Hoxha, për herë të parë e konfirmoi para pesë muajsh këtë marrëdhënie, ndërsa i shkruante asaj publikisht: “Si zog je”.
Ky është ok-i i parë publikisht, që Nako u jepte thashethemeve se mes tij dhe Albës ekzistonte diçka më shumë se thjesht marrëdhënia e shefit me vartësen. E kjo treshe mediatike me protagoniste dy balerinat, Klaudia Pepa e Alba Hoxha, me Albi Nakon në mes, në fakt, është beteja pas kuintave e dy ish-kolegeve dhe shoqeve të ngushta për një burrë, i cili është profesori dhe koreografi i tyre i përbashkët.
Ndërkohë që Klaudia bashkë me divorcin nga Albi nisi jetën e re në Itali, Alba Hoxha i zuri vendin asaj, duke u bërë balerina e parë e trupës së “Klan” dhe njëkohësisht krahu i djathë i Nakos. Kështu, për balerinën Hoxha ky divorc i koreografit të saj i hapi jo vetëm dyert e karrierës, por e vuri në qendër të vëmendjes mediatike si e dashura e tij, edhe pse ajo nuk e pranoi asnjëherë. Kjo lojë e saj me mediat e shndërroi në një nga personazhet më të komentuar mes vajzave të televizionit, duke qenë se, përveçse balerinë, ajo arriti të fitonte një vend të mirë pune në “Klan” si prezantuese e rubrikës së motit.
Kështu, ditë pas dite, imazhi i Alba Hoxhës u ngrit në majë, duke lënë pas famën e Pepës, e cila kaloi pak në plan të dytë pas suksesit që arriti me pjesëmarrjen në “Amici”, famë që kulmoi me divorcin.
SI NDRYSHOI MARRËDHËNIA E DY MIKESHAVE TË NGUSHTA DHE MËRIA PËR KOREOGRAFIN
Edhe pse Klaudia dhe Albi kanë treguar se janë ndarë me mirëkuptim, gjatë vizitave të saj në Tiranë, Klaudia është parë të drekojë e darkojë me balerinët e tjerë të trupës, si Graciano Taganin, por jo me çiftin e ri të showbiz-it, Albi Nako dhe Alba Hoxha.
Kujtojmë që marrëdhënia e tyre ka ndryshuar, pasi dikur, në jo pak foto, ato shiheshin afër njëra-tjetrës, ndërkohë që tashmë as një përshëndetje nuk e shkëmbejnë. Ndjekësit e ndryshëm e komentojnë Albën si shoqja që i mori burrin shoqes, edhe pse mund të mos jetë tërësisht kështu, duke qenë se Alba dhe Albi nisën të shoqëroheshin shumë me njëri-tjetrin vetëm pasi Albi kishte folur hapur për divorcin në media.
Ndërkohë, duket se dy vajzat i bënin karshillëk njëra-tjetrës me fotot apo videot që postonin në “Instagram”. Pak muaj më parë, Alba publikoi në “Instagram” një video, ku shihej duke hapur dhe mbyllur derën e një garazhi me këmbë dhe jo me duar. Ky veprim u komentua shumë nga ndjekësit e saj, ku krahas fjalëve të mira ka pasur edhe nga ata që e kanë kritikuar, duke thënë se ajo nuk bënte asgjë më shumë sesa kopjonte Klaudia Pepën, pasi ajo fillimisht publikoi një video në “Instagram” teksa bënte sparkatën në një supermarket.
Por ka një ndryshim në qëndrimin e vetë Albi Nakos në këtë histori. Edhe pse u fol se Albi dhe Alba ishin prezantuar me familjet e njëri-tjetrit dhe ishin në prag fejese, ai hezitoi ta pranonte këtë hap me Albën, ndryshe nga ç’bëri me Klaudian, me të cilën madje u martua në ekran gjatë programit të Ardit Gjebresë.
Kujtojmë që edhe historia e Albit me Klaudian nisi në ambientet e “TV Klan”, dashuri që u kurorëzua në martesë në vitin 2013 gjatë emisionit “E Diela Shqiptare”. Çifti deklaroi ndarjen në vitin 2017, një vit pasi kishin marrë vendimin e divorcit. Sipas mediave, problemet e çiftit nisën për shkak të distancës, duke qenë se Klaudia kishte vendosur që të zhvillonte karrierën e saj në Itali, ndërsa Albi po vijonte me punën e tij në Shqipëri.
Pas thashethemeve të fillimit në atë kohë për një ndarje mes tyre, çifti tentoi ribashkimin me një puthje të nxehtë “live” në spektaklin “Dance with me”. Por, duket se edhe ky pajtim nuk zgjati shumë, pasi çifti i njohur i balerinëve vendosi t’i japë fund përgjithmonë. Tashmë, kanë kaluar vetëm dy vite nga ndarja e tyre e bujshme, as shumë dhe as pak për ta provuar edhe një herë rikthimin.