Albi Nako ndahet edhe nga Alba Hoxha pas dy vitesh lidhjeje, prindërit kundërshtojnë martesën me balerinën 15 vite më të re
Nëntë muaj pasi koreografi i njohur Albi Nako filloi të dilte hapur me balerinën e tij mbi 15 vite më të re, Alba Hoxha, duket se ai ka marrë vendimin për t’u ndarë. Në fakt, Albi Nako dhe Alba Hoxha kishin 2 vite lidhje bashkë, por do të mbahen mend si një nga çiftet e showbizz-it që nuk e pranuan kurrë marrëdhënien e tyre.
Gjithnjë nën pretekstin se ishin miq të mirë, balerina dhe koreografi shijuan një histori romantike, së cilës duket se i ka ardhur fundi. Mosmarrëveshjet mes çiftit kanë çuar edhe në ndarjen e tyre përfundimtare, por edhe qëndrimi jo miratues i prindërve të Albit, të cilët nuk kanë dashur zyrtarizmin e tij në martesë me një vajzë në profesionin e balerinës, dhe gati dy dekada më të re.
Nëse i hedhim një sy rrjeteve sociale, ata kanë larguar edhe njëri-tjetrin, çfarë në ditët e sotme konsiderohet vulosja e një ndarjeje. Kujtojmë që deri para pak muajsh lidhja e tyre po shkonte mirë, pasi përveç se shiheshin kudo bashkë, Albi e mbështeti në biznesin e saj, një dyqan veshjesh online. Ndërkohë, për t’iu rikthyer arsyes së ndarjes, sjellim në kujtesë deklaratën e babait të tij, koreografit të njohur Llaqi Nako, i cili, mesa duket, i trembur nga dështimi i martesës me balerinën Klaudia Pepa, tani e tutje nuk është pro një balerine si partnere jete për djalin e tij.
I ftuar në emisionin për fëmijë ‘Në kurthin e Piter Pan’, profesori i njohur i baletit dha një intervistë përballë pyetjeve të fëmijëve, ku deklaroi me bindje se nusen e Albit nuk do e dëshironte të ishte me profesion balerinë. Nako u shpreh se zgjedhja përfundimtare i takon djalit të tij, por nëse ai do e pyeste, ky ishte mendimi të cilin nuk nguroi ta bëjë publik. E duket se diskutimi është bërë në shtëpi dhe vendimi është marrë nga Albi, i cili e ka shprehur publikisht se “lë kokën pas prindërve dhe s’do të donte kurrë t’i mërziste”.
ALBA DHE ALBI, SI NDODHI QË KOREOGRAFI U LIDH ME SHOQEN E ISH-GRUAS
Fiks një vit nga koha kur koreografi i njohur Albi Nako deklaroi në emisionin e Rudina Magjistarit divorcin nga bashkëshortja e tij Klaudia Pepa, nisi të dilte në skenë balerina tjetër e trupës së tij, Alba Hoxha. Më vonë, ajo postoi një fotografi në profilin e saj në “Instagram”, ku mes komenteve, binte në sy ai i koreografit të njohur Albi Nako, i cili më në fund po dilte hapur për këtë marrëdhënie, ndërsa i shkruante: “Si zog je”. Ky ishte ok-i i parë publikisht, që Nako u jepte thashethemeve se mes tij dhe Albës ekziston diçka më shumë se thjesht bashkëpunimi për punë.
E kjo treshe mediatike me protagoniste dy balerinat, Klaudia Pepa e Alba Hoxha, me Albi Nakon në mes, në fakt, ishte beteja pas kuintave e dy ish-kolegeve dhe shoqeve të ngushta për Albin, i cili ishte profesori dhe koreografi i tyre i përbashkët. Ndërkohë që Klaudia bashkë me divorcin nga Albi nisi jetën e re në Itali, Alba Hoxha i zuri vendin asaj, duke u bërë balerina e parë e trupës së “Klan” dhe njëkohësisht krahu i djathë i Nakos.
Kështu, për balerinën Hoxha ky divorc i koreografit të saj i hapi jo vetëm dyert e karrierës, por e vuri në qendër të vëmendjes publike si e dashura e tij, edhe pse ajo nuk e pranoi asnjëherë. Kjo lojë e saj me mediat e shndërroi në një nga personazhet më të komentuara mes vajzave të televizionit, duke qenë se, përveçse balerinë, ajo arriti të fitonte një vend të mirë pune në “Klan” si prezantuese e rubrikës së motit. Kështu, ditë pas dite, imazhi i Alba Hoxhës u ngrit në majë, duke lënë pas famën e Pepës, e cila kaloi pak në plan të dytë pas suksesit që arriti me pjesëmarrjen në “Amici”, famë që arriti kulmin me divorvin.
Po si vazhdoi marrëdhënia e dy balerinave, që dikur ishin mikesha të ngushta e i besonin sekretet njëra-tjetrës? Edhe pse Klaudia dhe Albi kanë treguar se janë ndarë me mirëkuptim, gjatë vizitave të saj në Tiranë, Klaudia u pa të shoqërohej me balerinët e tjerë të trupës, si Graciano Taganin, por jo me çiftin më të fundit të showbiz-it, Albi Nakon dhe Alba Hoxhën.
Kujtojmë që marrëdhënia e tyre ka ndryshuar, pasi dikur, në jo pak foto, ato shiheshin afër njëra-tjetrës, ndërkohë që tashmë as një përshëndetje nuk e shkëmbejnë. Ndjekësit e komentojnë Albën si shoqja që i mori burrin shoqes, edhe pse mund të mos jetë tërësisht kështu, duke qenë se Alba dhe Albi nisën të shoqëroheshin shumë me njëri-tjetrin vetëm pasi Albi kishte folur hapur për divorcin në media.
Ndërkohë, duket se dy vajzat i bëjnë karshillëk njëra-tjetrës me fotot apo videot që postojnë në “Instagram”, kush e kush të demonstrojë talentin e padjeshkave apo sparkadën, edhe në jetën e përditshme. Gjithsesi, në këto dy vite lidhjeje, edhe pse u fol se Albi dhe Alba ishin prezantuar me familjet e njëri-tjetrit dhe ishin në prag fejese, çifti hezitoi të rrëfente detaje, pavarësisht se shiheshin 24 orë në 24 bashkë. Kujtojmë që edhe historia e Albit me Klaudian nisi në ambientet e “TV Klan”, dashuri që u kurorëzua në martesë në vitin 2013 gjatë emisionit “E Diela Shqiptare”. Çifti deklaroi ndarjen në vitin 2017, një vit pasi kishin marrë vendimin e divorcit. Po këtë vit, në krah të tij doli Alba, që i bëri të gjithë të mendonin se koreografi po përsëriste historinë me Klaudian, pra, një lidhje me diferencë të madhe moshe me balerinën e tij.