Albi Doka, afrimi i bujshëm i verës dëmtohet dhe humb Beshiktashin, ja si pritet të luajë Tirana kundër turqve
Albi Doka humb ndeshjen e kthimit me Beshiktashin. Lojtari nuk ishte i pranishëm dje në stërvitje, ndërkohë që nga ana e stafit mjekësor u qartësua situata e tij. Lojtari ka një paratërheqje, që është e sigurt që nuk e zbret në fushën e lojës, por i rrezikon edhe stolin, pasi klubi kërkon ta ruajë. Në vendin e tij do të luajë Rimal Haxhiu, që ka bërë mirë sa herë është aktivizuar.
FORMACIONI
Orges Shehi ka punuar i qetë në “Skënder Halili”, teksa ekipi ka parë nga afër fushën. Gjatë këtyre ditëve është analizuar loja e kundërshtarit dhe se si do të rreshtohet Tirana në sfidën e dytë. Me ekipin e parë do të jenë Selmani, Haxhiu, Najdovski, Hoxhallari dhe Përgjoni. Në mesfushë: Lushkja, Jonuzi dhe Hila.
Në sulm do të luajnë Abazaj si qendërsulmues, dhe nga krahët Hasani e Latifi. Alternativë mund të jetë Kaina si titullar dhe Latifi ose Abazaj në stol.
Të gatshëm janë edhe Mici, Deliu e lojtarë të tjerë, pjesë e organikës bardheblu. Nikqi ka pësuar një goditje në këmbë dhe rrezikon sfidën e dytë, ndërsa Latifi dje nuk ishte në stërvitje.
KAINA TRAZON SULMIN
Braziliani, që këtë sezon ka ardhur nga Vllaznia, tani po që ka vënë kandidaturën e të qenit titullar. Në formacion janë Abazaj, Latifi dhe Hasani dhe nëse Shehi vendos të ndryshojë sulmin, duhet të sakrifikojë një nga treshja fantastike.
Tani është në dorë të trajnerit për të vendosur se kush do të qëndrojë në stol. Me shumë mundësi mund të sakrifikohet Latifi, ndërsa Abazaj mund të luajë majtas e Kaina në qendër. Një ide është edhe për Haxhiun, që ka fituar me meritë në këto tri ndeshje me fanellën e titullarit.
PËRFITIMI
Tirana dhe Beshiktashi do të përballen në sfidën e kthimit të turit të dytë të Ligës së Konferencës në Tiranë. Bardheblutë do të luajnë në “Air Albania” më 3 gusht në orën 20:00, ndërsa sfida nuk spostohet në Elbasan.
Kualifikimi në turin e dytë të Ligës së Konferencës u ka garantuar bardhebluve 550 mijë euro nga UEFA. Ama bonusi nuk janë paratë e Europës, por ajo që do të fitojë nga sfida me Beshiktashin.
Pak a shumë Tirana pret një shifër të mirë nga biletat që do të shiten për ndeshjen. Një tjetër e ardhur për sfidën me Beshiktashin do të jenë të ardhurat nga reklamat në stadium. Po kështu, bardheblutë kanë shitur 300 mijë euro të drejtën e TV-së për sfidën me Beshiktashin.
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL