Albano Bogdo ndahet nga e fejuara 1 vit pasi shkëmbyen unazat

Aktori i spektaklit të humorit “Apartamenti 2xl”, Albano Bogdo është ndarë nga partnerja e tij, Flavia Llakaj, një vit pasi shkëmbyen unazat e fejesës verën e kaluar. Edhe pse ai e ka mbajtur të fshehtë ndarjen, miq të afërt kanë dëshmuar se Bogdo nuk e vazhdon lidhjen me Flavian, një vajzë e panjohur për publikun. Gjatë lidhjes me të, Albano ishte shumë i dashuruar, dhe kjo shpjegonte faktin që ai u fejua në fshehtësi vetëm pas gjashtë muaj marrëdhënie. Edhe pse aktori nuk ka preferuar të japë vetë detaje për këtë histori, ai nuk është treguar i kursyer me postimin e fotove, ku shfaqet në intimet me të. Jo vetëm Albano, por dhe partnerja e tij brune është treguar gjithmonë e hapur në shprehjen e ndjenjave në mënyrë publike ndaj tij. Një dedikim mbresëlënës dashurie, ajo e bëri për aktorin me rastin e ditëlindjes së tij në muajin prill. Bashkë me një kolazh fotosh, duke përkëdhelur e puthur njëri-tjetrin ajo i ndau ndjenjat për të me miqtë, ku shprehej se ndihej e bekuar që ishte pranë tij. Aktori bëri publike një histori dashurie për herë të parë, që nga koha që punon në televizion. Në formatin e humorit “Apartamenti 2 XL”, ai shquhet për improvizimet skenike dhe stilin spontan të aktrimit.