Alban Skënderaj me zë të ngjirur në këngën e re, arsyeja sipas tij
Para dy netësh, kantautori Alban Skënderaj publikoi këngën e tij më të re “Nëntor, 26”. Ashtu si çdo herë tjetër, Albani arriti të godiste në shenjë me një këngë shumë romantike, ku çdo çift mund të gjejë veten. Ditën e sotme një ditë pas publikimit, këngëtari ka ndarë me të gjithë disa detaje mjaft interesante nga ky projekt i ri. Ai ka thënë se 14 vite më parë ka publikuar këngën e tij ‘My Oasis’, e cila ishte realizuar me një regjistrim të zërit dhe pas kaq kohësh ka bërë sërish të njëjtën gjë edhe me ‘Nëntor, 26’. Albani ka zbuluar se këngën e re e ka regjistruar gjatë një ditë me shi, kur dhe zëri i tij nuk ishte në formën më të mirë të mundshme. “Është shumë interesant fakti që mbas 14 vitesh nga kënga ‘My Oasis’ publikoj pa e menduar gjatë një këngë me ‘One Take’, pra një regjistrim të vetëm të zërit në studio fillim-mbarim dhe pas asnjë ndalim. Ishte një ditë gri dhe unë isha pak sa i ngjirur, ndaj mendova që do e këndoj shpejt vetëm njëherë të vetme sa për të patur një version demo si fillim. Mesa duket gjendja emocionale, zëri i lodhur dhe dita me shi u harmonizua në këtë këngë, ndaj vendosa të mbaj këtë version ndoshta jo perfekt, por të sinqertë dhe të pandikuar nga pjesa racionale që ka arti”, ka shkruar Albani sipas revistës Who. Pavarësisht se ai mendon se jo çdo gjë është perfekt në këtë këngë, uron që të ketë më shumë mundësi të punojë në këtë formë. Fundja artisiti i vërtetë në të tilla raste duket!