Alba Çobaj vendoset në Itali pranë të dashurit: Nuk kthehem kurrë më në televizionet shqiptare

Finalisten e “Big Brother 8”, Alba Çobaj, e cila ka qenë në qendër të vëmendjes së publikut për tre muaj “reality show” në ekranin e “Top Channel”, më pas e pamë në emisionin e saj në televizionin rinor “In Tv”. Mirëpo kur mendohej se gjithçka po shkonte mirë me emisionin e saj në këtë televizion, Alba vendosi ta lërë në mes sezoni programin duke u larguar nga puna. Ish-modelja tregon se ndihet e zhgënjyer nga eksperienca e saj në televizion, ndaj ka bërë plane të tjera për jetën. Ajo ndodhet aktualisht në Itali tek i dashuri i saj Enea, ndërkohë që rrëfen arsyen pse hoqi dorë nga televizioni ku punonte.

Ky është muaji i festave, çfarë plani keni bërë me të dashurin?
Për momentin jam në Itali pranë të dashurit, dhe ende nuk e di kur do kthehem në Shqipëri.
Do të rikthehesh në media, që është dhe pasioni yt siç je shprehur?
Jo, pasi s’dua të punoj më në media. Kam refuzuar çdo ofertë, sepse jam zhgënjyer shumë. Unë e provova çfarë domethënë të jesh në qendër të vëmendjes, të punosh në media, në televizion dhe nuk dua më.
Pse e more këtë vendim?
Shumica e njerëzve që punojnë në televizione janë fals dhe duan vetëm të të ngulin thikën pas shpine. S’ka njerzillëk, s’ka mirësi po vetëm hipokrizi prandaj jam distancuar nga çdo lloj eventi apo punë me njerëz të tillë, sepse nuk ndihem vetja duke qenë pjesë e këtij rrethi. Unë s’vuaj as për vëmendje e as për të qenë pjesë e televizionit patjetër. Unë s’e shes e as nuk e ul veten para askujt, e para së gjithash nuk dua fare të jem pjesë e këtij rrethi.
Çfarë planesh ke për jetën kështu?
Kam plane të tjera për jetën. Nuk jam nga ata persona që për hir të dëshirës për të punuar në televizion shesin dhe lëkurën e tyre. Jo, unë për vete kam hequr dorë të jem pjesë e kësaj farse. E provova dhe mbeta e zhgënjyer. Nuk dua të kem njerëz të tillë të ndyrë e meskinë në jetën time. Jam shumë e lumtur me paqen që kam tani. Hipokrizitë dhe thikat pas shpine ua kam lënë atyre që lashë pas. Le ta shijojnë falsitetin e ekranit deri në fund dhe le t’i ndërrojnë lëkurat çdo stinë, sepse unë si Alba s’jam e tillë.