Alarm për tornado në Ballkan, a rrezikon edhe Shqipëria?

Shqipëria dhe shumë vende të tjera në rajon e botë janë përfshirë nga zjarre të shumta prej disa ditësh. Flakët kanë sjellë dëme të mëdha në zonat e prekura, duke shkaktuar edhe viktima. Por duket se moti nuk ka ndërmend të qëndrojë i qetë pasi një ndryshim drastik pritet të ndodhë në gadishullin e Ballkanit.

Agjencia ndërkombëtare meteorologjike, Severe Weather, ka parashikuar erëra të forta, shira të rrëmbyeshëm, breshër, përmbytje e madje edhe tornado. Ndryshimi i motit pritet prej ditës së sotme kur vala e të nxehtit në pjesën juglindore të Europës dhe Turqisë do të pasohet me mot të frikshëm në disa vende të Ballkanit dhe temperatura në zbritje në Greqi dhe zonat afër saj.

Rrezik i lartë mund të prekë edhe Shqipërinë e Kosovën pasi një tornado e fortë nuk mund të përjashtohet duke pasur parasysh erërat mjaft të forta juglindore përgjatë bregdetit juglindor të Adriatikut, afër rajonit të Dalmacisë jugore, Kroacia, dhe më në jug përgjatë Malit të Zi dhe bregdetit shqiptar.